TIRANË- Detaje të reja janë zbardhur nga dosja hetimore për vetëvrasjen e Xhuana Nikollit, ku dëshmitë e administruara dhe komunikimet e saj para ngjarjes hedhin më shumë dritë mbi situatën që 25-vjeçarja po përjetonte në ditët para se të ndërmerrte aktin ekstrem.
Në kuadër të hetimit është administruar edhe dëshmia e një prej mikeshave me të cilën Xhuana ndante banesën me qira. Krahas saj, hetuesit kanë sekuestruar dhe analizuar komunikimet e Xhuanës me motrën e saj, të zhvilluara pak para ngjarjes.
Sipas komunikimeve me motrën e saj, Xhuana i kishte treguar asaj për situatën e krijuar dhe shqetësimet që kishte. Nga ana tjetër, motra e kishte këshilluar që t’i drejtohej Policisë dhe të denonconte Eraldo Fizin për dhunën e pretenduar, por Xhuana nuk ka pranuar. Madje, ajo kishte shprehu frikën se nëse do të bënte denoncim, Fizi do t'i bënte diçka të keqe babait të saj.
Por, çfarë ka ndodhur mbrëmjen para ngjarjes?
Sipas dëshmive të administruara, rezulton se konflikti mes Xhuanës dhe Eraldo Fizit dyshohet se lidhet me një ekskursion pune ku ajo kishte marrë pjesë me rastin e festave të 7-8 Marsit. Në dosje ngrihet dyshimi se gjatë këtij ekskursioni Eraldo Fizi e kishte ndjekur.
Shoqja e saj e dhomës, Aurela Hasanaj ka deklaruar se gjatë ekskursionit Xhuana dyshonte se Eraldo e kishte ndjekur nga pas. Sipas dëshmisë së saj, Xhuana i kishte treguar se partneri po i shkruante dhe e kishte pyetur nëse po e provokonte apo e kishte ndjekur vërtet.
Këto komunikime mes tyre, një ditë pas ekskursionit, u përshakallëzuan mbrëmjen e 9 marsit kur Eraldo e kishte kontaktuar Aurelën dhe i ka kërkuar të takohej me të dhe Xhuanën për të sqaruar situatën lidhur me ekskursionin. Mësohet se takimi u zhvillua rreth orës 20:30 pranë banesës ku jetonin me qira Xhuana dhe Aurela, teksa kjo e fundit është larguar duke i lënë të sqaroheshin.
Ndërkohë, rreth orës 03:10 të 10 marsit, Eraldo i ka telefonuar Aurelës dhe i ka kërkuar të hapte derën e godinës, pasi Xhuana nuk kishte çelës dhe sipas dëshmisë së saj ai i ka thënë: “Kujdesu për të”. Sipas dëshmisë së Aurelës, Xhuana kishte në fytyrë dhe trup shenja dhune, ndërsa i kishte kërkuar që të mos tregonte.
Ndërsa në dëshminë e së motrës, Klodina Nikolli, kjo e fundit kishte marrë një mesazh nga Xhuana që i kishte treguar se ishte marrë nga Eraldo Fizi me makinë dhe ishte çuar në Rana e Hedhun, në Shëngjin, ku ishte dhunuar. Xhuana i kishte dërguar edhe foto ku shfaqej e dhunuar, duke shprehur se ishte dhunuar “me grushta e shpulla” dhe “Kam duru boll, smunem ma”.
Më pas, mëgjesin e 10 marsit, rreth orës 09:07 Xhuana njoftoi se kishte konsumuar fostoksinë dhe nuk i është përgjigjur më asnjë telefonate. Ajo u transportua në QSUT, por pavarësisht ndihmës mjekësore, nuk arriti të mbijetonte.
Motra tjetër e saj, Silvana Kaleshi, dëshmia e të cilës gjithashtu është administruar në dosje, ka deklaruar se Xhuana dhe Eraldo ishin ndarë në vitin 2025. Sipas saj, pas ndarjes, Xhuana ishte zhvendosur në Tiranë, ku kishte nisur një jetë dhe punë të re, ndërsa gjatë asaj periudhe ishte ndjekur vazhdimisht nga Eraldo me mesazhe e video në të cilat shprehej se do të vetëflijohej nëse ajo nuk kthehej me të.
Gjykata ka vlerësuar se provat e administruara deri në këtë fazë krijojnë dyshim të arsyeshëm ndaj Eraldo Fizit, ndërsa hetimet vijojnë për sqarimin e plotë të rrethanave dhe përgjegjësisë penale.
Ndërkohë, një ditë më parë, Gjykata e Tiranës e la në burg 25-vjeçarin Eraldo Fizi, ndërsa ky i fundit pranuar në seancë dhunën e ushtruar ndaj Xhuanës. Sipas versionit të tij, konfliktet mes tyre kishin nisur për shkak të xhelozisë, teksa ka pranuar se e kishte dhunuar sipas tij, vetëm një herë, një natë para ngjarjes. /ZËRI
