BRITANI E MADHE- Dy shqiptarë janë dënuar me 14 muaj burg në total, pasi policia gjeti një sasi kanabisi dhe një shumë prej 16 mijë paund në banesën ku ata u kapën gjatë një operacioni në Frankland Place në Chapeltown. Mediat e huaja raportojnë se të dënuarit janë Ardit Brahushi dhe Ricard Telo. Një ekip policor kishte shkuar në banesën ku jetonte Brahushi, i cili kërkohej nga emigracioni.
Në gardërobën e dhomës së gjumit të Telos ishin fshehur 999 gramë kanabis në një qese. Telo kishte 130 paund cash me vete, ndërsa Brahushi 500 paund në portofol. Mes tyre kishin edhe disa celularë. Ekspertët thanë se kanabisi kishte një vlerë në treg deri në 6,000 paund me shumicë dhe 10,000 paund nëse shitej në rrugë.
Telo, 34 vjeç, pa adresë fikse, më vonë pranoi akuzën për tregtimin e kanabisit. Brahushi, 30 vjeç, nga Goodman Street, Leeds, pranoi posedimin e pasurisë kriminale. Gjykatësi Mushtaq Khokhar e burgosi Brahushin me tetë muaj dhe Telon me gjashtë muaj./ZËRI