
TIRANË- Kontrolli i Lartë i Shtetit në auditin e fundit të ushtruar në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë ka konstatuar një sërë shkeljesh, ndër të cilat rikonstruksioni i një shkolle, që nuk është shtetërore e që shkel rrjedhimisht ligjin për Prokurimet Publike. Bëhet fjalë për rikonstruksionin e shkollës profesionale “Herman Gmeiner”, në pronësi të Shoqatës “SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqiptarë”. Fondi për rikonstruksionin e së cilës kap vlerën e 300 mijë eurove që kanë kaluar nga buxheti i shtetit.
Rikonstruksioni i shkollës u bë në kuadër të procesit të rindërtimit pas tërmetit fatal të 26 nëntorit të viti 2019. Por sipas KLSH, referuar procesverbaleve të Institutit të Ndërtimit, nuk ka një vendim përfundimtar, por vetëm akt konstatime dhe me qëllim përmirësimin e kushteve, bazuar dhe në kontratën e huapërdorjes.

“Referuar neneve përkatëse të kontratës, nga huapërdoruesi do të kryhen vetëm shpenzimet e mirëmbajtjes dhe jo të rikonstruksionit, duke rënduar buxhetin e shtetit në shumën 31,960,919.3 lekë, veprime këto në kundërshtim me ligjin nr. 162, datë 23.12.2020 “Për prokurimin publik” neni 2, pika b), dh), neni 4, pika 37, si dhe me ligjin nr. 10296, datë 08.07.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, i ndryshuar, neni 9,”- thotë KLSH.
Po ashtu, auditi i Kontrollit të lartë të Shtetit, ka konstatuar se gjatë procesit të përzgjedhjes së operatorëve ekonomik është bërë skualifikimi nga gara i operatorit me ofertën më ekonomike. Kjo i ka shkaktuar buxhetit të shtetit dëm ekonomik. Pas kësaj, Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka kërkuar ministrisë së Financave shkarkimin nga detyra të Drejtoreshës së Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit, Mimoza Dhëmbi. Po ashtu është kërkuar masë disiplinore dhe për katër zyrtarë të tjerë.


“Ka pasur problematika në drejtim të mos respektimit të disiplinës fiskale, konstatuar kjo në të gjitha fazat e planifikimit, ekzekutimit dhe raportimit të buxhetit, në kundërshtim me kërkesat e LOB-it, që konsistojnë në: rialokime për projektet e investimeve me financim të brendshëm pa respektuar radhën prioritare në buxhetim, keqklasifikimin e investimeve, krijimin e kushteve për marrjen e angazhimeve pa fonde buxhetore, problematika në lidhje me procesin e detajimit të fondeve për rindërtimin, detajimin e projekteve të investimeve publike me akt normativ pa kaluar në PBA, shkurtimin e fondeve të investimit në momentin e lidhjes së kontratës dhe rialokimin e këtyre fondeve drejt projekteve me detyrime të prapambetura”, shprehet KLSH.
Po ashtu probleme Kontrolli i Lartë i Shtetit ka hasur dhe në Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Sipas KLSH, në 17 raste për 9 projekte është bërë parapagim i Kontratës. Ndërkohë dhe disa ministri kanë pasur probleme.
"Për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, për programin buxhetor 06730 “Furnizimi me ujë dhe kanalizime”, janë audituar 2 projekte investimi, ku është konstatuar se: 1 projekt nuk ka qenë pjesë e PBA-së dhe pjesë e listës së investimeve publike në projekt buxhet; për 1 projekt regjistrimi i kontratës është bërë jashtë afati; për 1 projekt është marr angazhim pa fond buxhetor në vlerën 17,386 mijë lekë; për 1 projekt është paguar me vlerë 102,600 mijë lekë, ose 19.3% e vlerës së kontratës, 16 ditë pas lidhjes së saj. Për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është audituar 1 projekt, ku është konstatuar se: projekti nuk ka qenë pjesë e listës së investimeve publike në projekt buxhet; kontratat e lidhur është 81,430 mijë lekë më shumë se vlera totale e këtij projekti të planifikuar në PBA; regjistrimi i kontratës është bërë jashtë afatit; është marr angazhim pa fonde buxhetore në vlerën 119,048 mijë lekë. Për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është audituar 1 projekt, ku është konstatuar: për 1 kod projekti janë zhvilluar 2 procedura prokurimi; të dy kontratat janë regjistruar jashtë afatit; është marr angazhim pa fond buxhetor në vlerën 63,320 mijë lekë. Për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë janë audituar 4 projekte, ku është konstatuar se: për 1 projekt vlera e kontratës është 26,530 mijë lekë më shumë se vlera e planifikuar në PBA; për 2 projekte edhe pse kontrata është nënshkruar me afat zbatimi 26 javë fondet janë parashikuara të shtrira për 3 vite buxhetore; për 2 projekte regjistrimi i kontratës është bërë jashtë afatit, për 4 projekte janë marrë angazhime pa fonde buxhetore në vlerën 249,496 mijë lekë”, thotë KLSH./ZËRI