
TIRANË- Kontrolli i Lartë i Shtetit në auditimin e fundit të kryer në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, ka konstatuar një sërë shkeljesh kontrate dhe një dëm total në buxhetin e QSUT dhe të shtetit që shkon deri në 10 milionë euro. Në raport KLSH, thekson se QSUT ka lidhur një kontratë me objekt “Për ofrimin e shërbimit të lavanterisë dhe hotelerisë për pacientët e hospitalizuar në pavijonet e QSUNT-së për 30.05 ditë/muaj nga data e nënshkrimit të kontratës, me të drejtë rinovimi automatikisht çdo muaj deri në lidhjen e kontratës bazë” në vlerën 26,738,538.88 lekë me TVSH me kompaninë “A.G.S” shpk. Kontratë që sipas raportit është shkelur nga kompania fituese, e cila sipas KLSH, ka marrë para më shumë se sa punë ka kryer duke “tronditur” financat e institucionit dhe të buxhetit të shtetit.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, grupi i auditimit përzgjodhi 11 materiale të buta për t’i peshuar, nga 15 materiale në total për shërbimin e lavanterisë nga ku krahasuar peshave për të cilat QSUNT paguan referuar stacioneve të firmosura nga operatori ekonomik “A.G.S” u konstatuan diferenca në peshë për 5 materiale.
“Referuar situacioneve mujore, grupi i auditimit për çdo muaj për periudhën objekt auditimi kreu llogaritjen e tyre sipas peshave faktike, nga ku u konstatua se për periudhën prill-dhjetor 2021, OE “A.” shpk është likuiduar në vlerën 193,300,331.07 pa TVSH, ndërkohë që referuar peshave reale duhej të likuidohej në vlerën 189,622,252.16 lekë, më një diferencë prej 3,678,078.91 lekë ose 4,413,693.82 lekë me TVSH, e cila përbën dëm ekonomik për QSUNT-në dhe buxhetin e shtetit”, thuhet në raportin e KLSH.
Në raport theksohet se për vitin 2022, “A.G.S” shpk është likuiduar/paguar në vlerën 259,913,157.42 lekë pa TVSH ndërkohë që referuar peshave reale duhej të likuidohej/paguhej në vlerën 254,397,274.03 lekë, më një diferencë prej 5,515,883.39 lekë pa TVSH ose 6,619,060.07 me TVSH, e cila përbën dëm ekonomik për QSUNT-në dhe buxhetin e shtetit.
“Operatori ekonomik “A.” shpk për periudhën objekt auditimi ka përfituar pa të drejtë në total vlerën 9,193,961.57 lekë ose 11,032,753.88 lekë me TVSH, duke shkaktuar dëm për QSUNT-në dhe buxhetin e shtetit. Veprime në kundërshtim me kontratën Nr.543/4, datë 27.01.2022, neni 3, Ligjin Nr. 162, datë 23.12.2020, “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, neni 122, Ligjin Nr. 7850, datë 29.07.1994 “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, neni 419, 420, neni 659, 698 dhe neni 690, Deklarata mbi përmbushjen e specifikimeve teknike dhe të termave të referencës nga operatori ekonomik “A.” shpk, Udhëzimin e Ministrisë së Financave Nr. 30, datë 27.12.2011, “Për menaxhimin e aktiviteteve në njësitë e sektorit publik”, me ndryshimet vijuese të tij. kjo shoqëri, si pasojë e diferencës së peshave të materialeve të buta të paguara me ato faktike.12”, thuhet më tej në raportin e auditimit.
Një pikë tjetër ku ndalet raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit janë barrierat larëse që operatori ekonomik “A.G.S” duhet të zotëronte për mbarëvajtjen e punës. KLSH thotë se në kushtet paraprake të kontratës, kompania “A.G.S” duhet të zotëronte 2 të tilla, por në fakt gjatë auditimit, të dyja ishin jashtë funksionit. Kjo sipas raportit të auditimit. Po ashtu nga dy peshore mbi 100 kg, “A.G.S” kishte në gjendje pune vetëm një.

Një shkelje që sipas KLSH, vë në rrezik jetën e pacientëve është mungesa e thasëve për mbledhjen e materialeve të kontaminuara. Kompania duhet të zotëronte 7 të tillë, sipas dhe kushteve të kontatës, por në fakt kishte vetëm dy. Sipas auditit, kjo ka sjellë mungesën e ndarjes së materialeve me rreziqe të ndryshme, si materiale të kontaminuara, ose materiale me rrezik mikrobiologjik.
“Referuar Termave të Referencës, Rregullat për Qarkullimin e materialit të butë në pavijonet e QSUT-së, për parandalimin, eliminimin e infeksioneve spitalore, seksioni Përkujdesje citohet se: Thasët e thurur, me ngjyrat e poshtëshënuara dhe me siglën përkatëse, vendosen në një mbajtës me rrota (karrocë), dhe administrohen nga Sipërmarrësi. Thasët e Verdhë “material i kontaminuar”- vendoset çarçafët, këllëfët e jastëkut, pizhamkëmishat e të sëmurëve. Thasët Blu - materiali i kontaminuar, nga një pacient pas ekzaminimit në mjekësinë nukleare. Thasët Jeshilë - material i konsideruar “me rrezik mikrobiologjik” Thasët Gri - veshjet e personelit shëndetësor ndihmës (sanitare, barrelambajtës, etj.), pantallona dhe bluza. Thasët Vishnje (Bordeaux) - mbulesa, mbrojtëse dysheku, bluza pambuku. Thasët Blu, “material i pisët”. Operatori Ekonomik “A.” dispononte vetëm thasë me ngjyre blu “Për materialet e kontaminuara, nga një pacient pas ekzaminimit në mjekësinë nukleare” dhe thasë me ngjyrë vishnje “Për mbulesa, mbrojtëse dysheku, bluza pambuku”, çka sjell mos ndarjen e materialeve me rreziqe të ndryshme, si materiale të kontaminuar, materiale me rrezik mikrobiologjik etje referuar specifikimeve të kontratës”, thuhet në raport.
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit shprehte se Qendra Spitalore Universitare duhet të kontrollonte zbatimin e kontratës që kishte nënshkruar me operatorin eekonomik “A.G.S”. Kjo ka sjellë një dëm kolosal në buxhetin e këtij institucioni, por dhe në buxhetin e shtetit./ZËRI