
TIRANË- Pas një periudhe relativisht të gjatë me debate dhe përplasje, mazhoranca dhe opozita më në fund kanë rënë dakord sa i përketë zgjatjes së afatit të komisionit hetimor të “Sterilizimit dhe Check Up” edhe me dy javë të tjera.
Ka qënë një kërkesë e bërë nga kryetarja e këtij komisioni, Albana Vokshi që në fakt nxiti shumë debate. Por në fund Partia Socialiste dhe Partia Demokratike ranë dakort për marrjen e këtij vendimi me qëllim krijimin e mundësive për marrë në pyetje edhe të disa dëshmitarëve të tjerë, përfshirë ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj.
Deklarata e Albana Vokshit:
Sot jemi në një tjetër mbledhje të komisionit hetimor. Sic ka ndodhur në mbledhjet e fundit, kjo është një kërkesë e ardhur nga deputetët e mazhorancës. Ditën e premte, pas një mbledhje që u mbajt në shkelje të rregullores, e kanë zhbërë edhe kryesinë e komisionit. Pra dua të informoj se kryesia e komisionit nuk mblidhet më, nuk kryen funksionet që duhet të kryejë. Mazhoranca jo vetëm që nuk njeh autoritetin e kryetarit, por ka rrëmbyer edhe komisionin, edhe drejtimin, edhe menaxhimin edhe dëgjesat. Nëse mendoni se do ja mbushni mendjen njerëzve se ju keni dëshirë të hetoni e keni gabim, sepse pavarësisht se keni uzurpuar cdo gjë të këtij komisioni, cdo qytetar e ka të qartë sesa korruptive janë këto koncesione.
Të premten ka ardhur një shkresë më firmat e deputetëve të PS ku kërkohet të dëshmojnë para komisionit shumë dëshmitarë. Nesër është dita e fundit, afati i fundit i komisionit. Ndërkohë në listën e dakordësuar janë edhe shumë dëshmitare të tjerë. Unë nuk e kuptoj çfarë doni të bëni?! Kush është qëllimi i dëshmive të sotme?!
Nuk ka ndodhur kurrë në 33 vite kjo që po ndodh. E di që halli juaj është i madh, por nuk e zgjidh dot ky komision hallin tuaj. Nuk do i mbuloni dot këto afera kriminale. Si do e mbyllni këtë komision? Në këtë komision duhet të vijë Edi Rama. Nuk mund të mbyllet ky komision pa ardhur Edi Rama.
Ngritja e Komisionit Hetimor të Kuvendit për Sterilizimin dhe Check-Up në shëndetësi u ngrit pas një marrëveshjeje të arritur nga Partia Socialiste me atë demokratike. Por të dyja këto koncensione janë nën hetim nga SPAK. I pari, ai i Sterilizimit, ka sjellë deri më tani arrestimin dhe ngritjen e akuzave ndaj ish-zëvendësministrit të Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj. Nën hetim janë edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani. Këto koncensione në Shëndetësi kanë ngritur pikëpyetje për korrupsion dhe abuzime. Madje dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ngritur vazhdimisht pikëpyetje duke i konsideruar ato si një përdorim “joefikas” i fondeve publike. Po ashtu, edhe opozita ka ngritur herë pas herë akuza se koncensionet kanë qenë abuzim i pastër me paratë e buxhetit të shtetit./ ZËRI