Aktualitet

“Konkurrenca” fal Spitalin Amerikan dhe Hygeia, kanë pozitë dominuese, por “u sollën mirë pasi bënë oferta”

Argumenti kryesor është se çmimet për shërbimet e mbuluara nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor janë transparente dhe të barabarta për pacientët, ndërsa vetë ndërmarrjet kanë aplikuar edhe politika fleksibile çmimesh dhe zbritje për kategori të caktuara pacientësh.

F.I
“Konkurrenca” fal Spitalin Amerikan dhe Hygeia, kanë
foto ilustruese

TIRANË-Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të mbyllë hetimin paraprak ndaj dy prej aktorëve më të mëdhenj të tregut privat spitalor në vend, American Hospital, i njohur ndryshe si Spitali Amerikan dhe International Hospital ose siç njihet më mirë Spitali Hygeia, por mënyra se si është trajtuar ky proces ngre më shumë pikëpyetje sesa përgjigje. Vendimi për hapjen e hetimit paraprak u mor në prill 2025.

Ndërsa vendimi për mbylljen e procedurës, të cilin e konsultoi ekofin.al është marrë në korrik 2025, por është bërë publik vetëm së fundmi në faqen zyrtare të Autoritetit të Konkurrencës, duke vënë në diskutim serioz transparencën dhe llogaridhënien e këtij autoriteti ndaj publikut dhe tregut.

“Konkurrenca” fal Spitalin Amerikan dhe Hygeia, kanë
DOKUMENTI

Në raportin që disponon ekofin.al, Komisioni i Konkurrencës pranon qartë se këto dy ndërmarrje kanë një rol dominues në tregun e shërbimeve spitalore private në Shqipëri. Sipas analizës, ato zotërojnë një pjesë të konsiderueshme të tregut dhe, më e rëndësishmja, ofrojnë shërbime të avancuara dhe ekskluzive që nuk gjenden as në sektorin publik. Bëhet fjalë për ndërhyrje të specializuara si trombektomia mekanike, transplantet e veshkave apo teknologjitë e avancuara diagnostikuese si PET-CT, të cilat sipas Komisionit të Konkurrencës përbëjnë “shërbime të domosdoshme” në kuptimin e ligjit për konkurrencën.

Pra, kemi një konstatim të qartë: tregu është i përqendruar, shërbimet janë të diferencuara dhe barrierat e hyrjes janë të larta, qoftë për shkak të kostove teknologjike, mungesës së stafit të kualifikuar apo rregullimit sektorial. Në kushte të tilla, çdo manual i konkurrencës do të sugjeronte një vëmendje të shtuar ndaj rrezikut të abuzimit me pozitën dominuese.

Megjithatë, në një kthesë që e bën të gjithë analizën kontradiktore, Autoriteti i Konkurrencës arrin në përfundimin se, pavarësisht kësaj pozite dominuese, nuk ka prova për sjellje abuzive. Argumenti kryesor është se çmimet për shërbimet e mbuluara nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor janë transparente dhe të barabarta për pacientët, ndërsa vetë ndërmarrjet kanë aplikuar edhe politika fleksibile çmimesh dhe zbritje për kategori të caktuara pacientësh.

“Konkurrenca” fal Spitalin Amerikan dhe Hygeia, kanë

Kjo logjikë ngre disa probleme themelore. Së pari, fakti që çmimet rregullohen ose financohen pjesërisht nga shteti nuk përjashton automatikisht mundësinë e abuzimit në segmente të tjera të tregut, veçanërisht në shërbimet private ose ato që nuk mbulohen nga skemat publike.

Së dyti, vetë Autoriteti i Konkurrencës pranon se në shumë raste nuk ka alternativa reale në tregun vendas dhe pacientët detyrohen t'u drejtohen këtyre strukturave, gjë që e forcon më tej pozicionin e tyre dominues.

Edhe më problematik është fakti që një pjesë e këtyre shërbimeve financohen nga fondet publike përmes kontratave me FSDKSH, duke krijuar një situatë ku një operator privat përfiton nga burimet publike, ndërsa konkurrenca reale mbetet e kufizuar.

Vetë dokumenti pranon se ky mekanizëm siguron një fluks të qëndrueshëm pacientësh dhe të ardhura të konsiderueshme për operatorin dominues.

Edhe pse Komisioni i Konkurrencës është kujdesur të fshehë shifrat në raport, është e qartë se dy spitalet private jo vetëm që janë në pozita dominuese, duke ofruar shërbime ekskluzive, por edhe duke përfituar nga të ardhura të konsiderueshme, një pjesë e mirë nga buxheti i shtetit, përveç parave të qytetarëve.

Nga ana tjetër, Autoriteti e justifikon mungesën e konkurrencës me faktin se tregu është "rajonal", pasi pacientët mund të zgjedhin të trajtohen në vende të tjera si Turqia ose vende të rajonit.

Ky argument është shumë i diskutueshëm, në kufijtë e qesharakes, pasi zhvendosja jashtë vendit për trajtim shëndetësor nuk është një alternativë realiste për shumicën e pacientëve, për shkak të kostove dhe pengesave të tjera praktike.

Vendimi i Autoritetit të Konkurrencës është mbyllja e hetimit dhe vendosja e një periudhe monitorimi njëvjeçare për sjelljen e këtyre kompanive.

Por kjo zgjidhje duket më shumë si një "zgjidhje pa ndërhyrje", më shumë si një kompromis administrativ sesa një përgjigje e fortë ndaj një tregu që vetë institucioni e përshkruan si të përqendruar dhe me barriera të larta hyrjeje.

E gjithë kjo situatë përkeqësohet nga fakti që vendimi është mbajtur larg vëmendjes së publikut për muaj të tërë.

Publikimi i vonuar i një dokumenti kaq të rëndësishëm jo vetëm që dëmton besimin në institucion, kreu i të cilit Denar Biba u rizgjodh së fundmi për një mandat të dytë, por gjithashtu krijon dyshime rreth mënyrës se si trajtohen çështjet e ndjeshme që prekin sektorë kritikë si kujdesi shëndetësor.

Praktikisht, kemi një paradoks: Autoriteti i Konkurrencës pranon ekzistencën e një pozicioni dominues dhe shërbimeve ekskluzive, por në të njëjtën kohë minimizon rrezikun, duke u mbështetur në argumente procedurale dhe sociale. Për një institucion, misioni i të cilit është mbrojtja e konkurrencës dhe konsumatorëve, kjo qasje duket më shumë si një shmangie e përgjegjësisë sesa një analizë e thelluar e tregut./ekofin

Poll

MOS HUMB