BRAZIL-Detaje të reja janë zbardhur nga arrestimi i Ervin Matës në Brazil, i cili kishte hyrë në rrugë detare fshehurazi mes Brazilit dhe Paraguait dhe fshihej me dokumente të false. Mata u arrestua në një operacion policor në Ilhabela, në bregdetin verior të São Paulo, për llogari të autoriteteve në Gjermani, ndërsa kërkohet edhe nga Shqipëria. 39-vjeçari po pushonte në një lokal në qytetin e Sao Paolo, në një zonë turistike.
Arrestimi në Ilhabela ndodhi pasi informacionet e inteligjencës treguan se Mata po udhëtonte drejt Bregut Verior. Gjatë monitorimit, policia identifikoi se ai kishte përdorur rrugë alternative, duke përfshirë udhëtimin me det për në Ilhabela.
“Një burrë u gjet në një qendër tregtare pas një operacioni nga Policia Ushtarake; ai dyshohet për përfshirje në trafik ndërkombëtar droge dhe mund të ekstradohet. Ervin Mata u arrestua të shtunën në mbrëmje (25), në Ilhabela, në Bregun Verior të São Paulo, pas një operacioni nga Policia Ushtarake. Ai konsiderohej i arratisur nga drejtësia për përfshirje në trafik ndërkombëtar droge dhe bashkëpunim kriminal”, informon media braziliane.
Një tjetër detaj me rëndësi ka qenë se urdhër-arresti për Ervin Matën u lëshua nga gjykatësi ministri Alexandre de Moraes i Gjykatës së Lartë Federale (STF) në shtator të vitit të kaluar.
“Me anë të kësaj urdhëroj ndalimin parandalues të Ervin Matës, duke përcaktuar lëshimin e një urdhër-arresti, ekzekutimi i të cilit duhet t’i komunikohet menjëherë kësaj Gjykate Supreme, Ministrisë së Drejtësisë, Interpolit dhe përfaqësisë diplomatike të shtetit përkatës”, thuhet në vendim.
Sipas policisë, në kohën e ndërhyrjes, Mata u përpoq të fshihte identitetin e tij, por u njoh nga oficerët, të cilët kishin tashmë informacion në lidhje me të arratisurin. Ai nuk i rezistoi arrestimit. Pas arrestimit të tij, i dyshuari iu dorëzua autoriteteve federale dhe mbetet në dispozicion të sistemit të drejtësisë. Çështja mund të rezultojë në procedurat e ekstradimit mes Gjermanisë apo Shqipërisë.
Sipas medias “G1” që publikoi e para lajmin, Sekretariati i Sigurisë Publike të São Paulo konfirmoi arrestimin dhe tha se ai kishte udhëtuar nga rajoni Baixada Santista në bregdetin verior, ku u gjet gjatë një operacioni të përbashkët nga ekipet e policisë në qendër të Ilhabelës.
Sipas autoriteteve në Shqipëri, Mata ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar që në vitin 2023, ndërsa në vitin 2025 ishte firmosur edhe urdhri për arrestimin e tij me qëllim ekstradimin. Ai akuzohet për trafik ndërkombëtar droge, pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe veprimtari të tjera të paligjshme. Mata dyshohet se ka koordinuar trafikimin e 240 kilogramëve kokainë në Frankfurt, në vitin 2020.