TIRANË- Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar ankimimin e Arbër Veliajt, vëllait të kryebashkiakut të arrestuar Erion Veliaj, i cili kundërshtonte kontrollet e SPAK që u kryen në dhjetor të 2024 në shtëpitë e tij dhe në ambientet e bizneseve. Trupi gjykues monokratik, i kryesuar nga gjyqtari Engert Pëllumbi, vendosi të mos pranojë ankimimin e paraqitur nga Arbër Veliaj. Sipas asaj që bëhet me dije në njoftimin e Apelit, pas këtij vendimi, palët kanë të drejtën të paraqesin rekurs në Gjykatën e Lartë.
Njoftimi i Apelit të GJKKO:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 31.07.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 183, datë 25.07.2025 regjistrimi, kthyer për rishqyrtim tek i njëjti trup gjykues nga Gjykata e Lartë, pas prishjes së vendimit nr. 51, datë 28.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar – disponuar mbi ankimet e paraqitura nga ankuesit A.V. dhe shoqëria “G.” sh.p.k., ndaj vendimit nr. 730, datë 20.12.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:
1. Mospranimin e ankimit të ankuesve A.V. dhe shoqëria “G.” sh.p.k., kundër vendimit nr. 730, datë 20.12.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar;
2. Ky vendim t’u njoftohet ankuesve dhe kundër tij lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë sipas ligjit;
3. Tiranë, më 31.07.2025.
Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, po hetohen nga SPAK së bashku me 6 biznesmenë për vepra penale si korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash OJF. Kështu kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në 9 raste.
Veliaj akuzohet se ka përfituar 3 vila në Qerret, ndërsa Xoxa akuzohet se ka shpenzuar rreth 890 mijë euro në blerje veshjesh dhe bizhush online. Veliaj është lënë në masën "arrest me burg", ndërsa Xoxa në "detyrim paraqitje", ndërsa për 6 biznesmenët që dyshohen se kanë bashkëpunuar me Veliajn janë lënë në "arrest shtëpie" dhe "detyrim paraqitje."/ZËRI