Aktualitet

Konviktet me 'mik' në Qytet Studenti, reagon Rezidenca Studentore: Ndodhi për shkak të fluksit, por...

Sipas denoncimit të bërë nga vetë studentët, ata janë dëbuar me dhunë, pa u dhënë asnjë sqarim dhe pa mundësi për të diskutuar vendimin.

zh.ll
Konviktet me 'mik' në Qytet Studenti, reagon Rezidenca
momenti i përplasjes së studenteve me policinë

TIRANË- Një situatë e tensionuar u raportua nga konviktet në Qytet Studenti, ku disa studentë që kërkojnë një mundësi për të jetuar në këto konvikte, janë nxjerrë me dhunë jashtë ambjenteve nga policia. Sipas denoncimit të bërë nga vetë studentët, ata janë dëbuar me dhunë, pa u dhënë asnjë sqarim dhe pa mundësi për të diskutuar vendimin. Ndërkohë, ka ardhur edhe reagimi nga Rezidenca Studentore Universitare Nr. 1., ku kërkon të sqarojë rrethanat e kësaj ngjarje. Përmes një deklarate zyrtare, Rezidenca Studentore bën me dije se tensionet u shkaktuan nga fluksi i pazakontë i aplikimeve për regjistrim në Godinën Nr. 3. Godina në fjalë sapo rikonstruktuar me standarde bashkëkohore dhe ofron një kapacitet prej vetëm 61 vendesh (30 dhoma dyshe dhe 1 vend për persona me aftësi ndryshe). RSU Nr. 1 siguron se kapacitetet e përgjithshme akomoduese janë të mjaftueshme për të plotësuar kërkesat e të gjithë studentëve

Deklarata e Rezidencës Studentore Universitare Nr.1: 

Rezidenca Studentore Universitare Nr. 1 njofton se, gjatë ditës së sotme, u evidentua një fluks i pazakontë aplikimesh për regjistrim në Godinën Nr. 3, e cila sapo është rikonstruktuar me standarde bashkëkohore. Ky objekt ofron një kapacitet prej 61 vende (30 dhoma dyshe + 1 vend për persona me aftësi ndryshe), ndërkohë që numri i aplikantëve arriti në rreth 300 studentë, duke shkaktuar momente tensioni gjatë procesit të regjistrimit. 

Godina Nr. 3 është pjesë e Projektit të Rikonstruksionit të Godinave të Qytetit Studenti me Efikasitet Energjetik, financuar nga Banka Gjermane për Zhvillim (Kfë) dhe Bashkimi Evropian. 

Faza e parë e projektit ka përfunduar me rikonstruksionin e pesë godinave. 

Faza e dytë, që pritet të nisë në një periudhë të afërt, përfshin rikonstruksionin e 14 godinave të tjera. 

RSU Nr. 1 siguron se kapacitetet e përgjithshme akomoduese janë të mjaftueshme për të plotësuar kërkesat e të gjithë studentëve. Aktualisht janë të disponueshme hapësira banimi në godinat 24, 25, 26, 27, 28 dhe 29, të cilat ofrojnë kushte të rregullta jetese dhe shërbimet e nevojshme për një akomodim dinjitoz. 

Videot e dëbimit të studenteve nga konvikti kanë bërë xhiron e rrjetit, ndërsa janë filmuar dhe publikuar nga vetë ata për të denoncuar situatën. Sipas denoncimit të tyre, mësohet iu është dashur që të qëndrojnë në radhë dhe pritje deri në orën 3 të mëngjesit, pa mundur që të marrin një dhomë./ZËRI

Poll

MOS HUMB