TIRANË-Prokuroria e Posaçme SPAK ka nisur hetimet për tenderin për pajisjet elektronike të votimit në KQZ për zgjedhjet në vendin tonë. SPAK kërkon dokumentacionin e plotë të praktikës së procedurës të prokurimit lidhur me pajisjet për identifikimin elektronik të votuesve dhe verifikim e tyre paszgjedhor. Bëhet fjalë për firmën Smartmatic International Holding B.V. me vlerë të ofruar prej rreth 1.2 miliardë lekësh të vjetra me TVSH. Kërkesa e drejtuar ndaj KQZ-së mban emrin e kreu të SPAK-it Altin Dumani dhe është firmosur më datë 16 gusht 2024.
“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për nevoja të hetimeve që po zhvillohen kërkon nga ana juaj dokumentacionin e plotë të praktikës së procedurës të prokurimit me nr.”REF-83073-12-23-2020″ me objekt “Sisteme/pajisje të teknologjisë së informacionit për identifikimin elektronik të votuesve dhe verifikim e tyre paszgjedhor” dhe të praktikës së procedurës të prokurimit me nr. “REF-89113-03-04-2021”, me objekt “Sisteme/pajisje të teknologjisë së informacionit për votimin dhe numërimin e votave” – thuhet në kërkesën e SPAK.
Tenderat për blerjen e pajisjeve për identifikimin e votuesve
Tenderi është hapur më 24 dhjetor 2020 dhe procedura e shpalljes ka qenë me negocim. Më 18 janar 2021 është bërë publikimi. KQZ e ka shpallur tenderin me fond limit: 2,112,304,484 lekë të reja pa TVSH. Ai u fitua nga kompania “Smartmatic International Holding B.V”. me seli në Holandë. Ajo që bie në sy është se vlera fituese e kompanisë me bazë në Holandë është 2,016,354,628 lekë të reja pa TVSH. Pra shumë pranë fondit limit.
Në 14 janar të vitit 2021, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pranoi ofertën e kompanisë “Smartmatic International Holding B.V”, për procesin e identifikimit biometik të votuesve në zgjedhjet e 25 Prillit.
"Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në datën 14 janar 2021, përfundoi fazën e vlerësimit të ofertës dhe zgjidhjes teknike, të paraqitur nga operatori ekonomik “Smartmatic International Hlding B.V” pjesëmarrës në procedurën prokuruese me objekt “Sisteme/pajisje të teknologjisë së informacionit për identifikimin elektronik të votuesve dhe verifikimin e tyre pas zgjedhor”. Kompania Smartmatic International Holding B. V, brenda afateve ligjore paraqiti dokumentacionin, zgjidhjen teknike dhe ofertën ekonomike me vlerë: 19.975.774,23 USD pa T.V.SH dhe e konvertuar në lekë referuar kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë për datën 23.12.2020 me vlerë: 2,016,354,627.56 lekë pa TVSH. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave pas shqyrtimit të dokumentacionit, ofertës ekonomike dhe zgjidhjes teknike vendosi kualifikimin ofertës së paraqitur nga kompania Smartmatic International Holding B. V. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vijojë me fazën e negocimit të termave të kontratës me kompaninë fituese. Nëse negociatat rezultojnë të suksesshme dhe arrihet nënshkrimi i kontratës, do të fillojë procesi përgatitor për implementimin e sistemit për identifikimin elektronik të zgjedhësve", thuhej asakohe në njoftimin e KQZ.
Tenderi i dytë ka të bëjë me blerjen e pajisjeve elektronike të votimit, për eksperimentimin e votimi elektronik në zgjedhjet e 2021, në 32 qendrat e votimit të njësisë administrative numër 10 në Tiranë. Fondi limit ishte 109.999.500, ndërsa kompania fituese ka ofruar 99.424.460 lekë./ZËRI