
TIRANË- Alfred Balla është përjashtuar për 15 vite nga sistemi i drejtësisë në vend. Vendim ky i marrë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i cili edhe pse kanë kaluar disa ditë, ende nuk është pranuar nga tashmë ish-kreu i KLP-së. E gjithë përplasja nisi pasi Alfred Balla para vitit 2017 punonte si ndihmën ligjor në Gjykatën e Lartë dhe duhej ti nënshtrohej procesit të Vettingut. Por u lirua nga detyra më 31 korrik 2017, duke humbur kështu edhe statusin e magjistratit, ndaj pretendon se nuk duhet që t'i ishte nënshtruar Vettingut. Madje dhe në KLP, hyri si përfaqësues i shoqërisë civile. Kështu që edhe KPK vlerësoi në shumicë se Balla e kishte humbur statusin e magjistratit pasi ishte shkarkuar nga kreu i Gjykatës së Lartë në korrik 2017 dhe e mbyllën procesin e tij pa një vendim përfundimtar. Ankimimi u bë nga Komisioneri Publik, që më pas solli edhe shkarkimin e Ballës.
KRONOLOGJIA:
➤ 2018- Alfred Balla u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë në shkurt 2018 nga Kuvendi i Shqipërisë, si përfaqësues i shoqërisë civile dhe prej asaj kohe mbante postin e zv/kryetarit.
➤ 28.03.2022- Këshilli i Lartë i Prokurorisë zgjodhi kryetarin e ri pas largimit të Gent Ibrahimi. Alfred Balla, ishte kandidati i vetëm në garë. Mandati i tij ishte 2-vjeçar
➤ 20.06.2023 - Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla u vendos që t'i nënshtrohej Vettingut. Balla do të kalonte në filtër për punën e tij si ndihmësligjor në Gjykatën e Lartë, detyrë që e ka mbajtur deri në 31 korrik 2017.
➤ 30.06.2023 - Komisioneri Publik, Florian Ballhysa ankimon vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Për kreun e KLP-së, Alfred Balla, KPK vendosi përfundimin e vetingut pa një vendim përfundimtar dhe pa sanksione. Komisioneri Ballhysa e cilësonte të pabazuar në situatën faktike vendimarrjen e shumicës së Komisionit. Pas ankimit të tij, Balla tha se ishte "i habitur”, duke shtuar se nuk ishte larguar me dorëheqje nga detyra si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë, por ishte liruar. Madje u shpreh se Vettingu ndaj tij nuk duhej të ishte zhvilluar.
➤29.04.2024- Alfred Balla del para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Në seancë, Ballhysa kërkon në Kolegj ndryshimin e vendimit për Ballën dhe vendosjen e sanksionit që i ndalon kreut aktual të KLP-së që të mbajë funksione në sistemin e drejtësisë për 15 vitet e ardhshme.
➤ 21.05.2024- Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi sanksionin e kërkuar nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, që i ndalon kreut të KLP-së të riemërohet për 15 vitet e ardhshme në sistemin e drejtësisë në pozicione që kërkojnë statusin e magjistratit. Pas vendimit, Balla e cilësoi vendimin si të turpshëm.
➤23.05.2024- Edhe pse i shkarkuar, kreu i KLP-së gjendej në një vizitë zyrtare në Itali, ndërkohë zëvendësi i tij Tartar Bazaj thirri një mbledhje për të deklaruar përfundimin e mandatit të Ballës. Të nesërmen reagoi duke u shprehur se pret zëvendësin e tij që të largohej.
➤ 27.05.2024- Mbledhja e KLP për shkarkimin e Alfred Ballës është zhvilluar me debate. Anëtarja Nurihan Seiti, e cila doli hapur krah të Alfred Ballës, u shpreh se ai duhet të vijojë detyrën, pasi vendimi i KPA futet në fuqi vetëm pas publikimit në fletoren zyrtare. Mbledhja u shty për pasdite dhe me 9 vota pro, vetëm Seitajn kundër, u vendos shkarkimi i Alfred Ballës nga kreu i KLP. Balla pretendonte se po zbatonte ligjin duke qëndruar në detyrë siç e parashikon Kushtetuta, deri në zgjedhjen e një kryetari të ri, pasi mandati i ka përfunduar më datë 18.12.2023. Ndërsa çështjen e përjashtimit të tij nga sistemi, është shprehur se do ta dërgojë në Strasburg./ZËRI