
DEVOLL- Bashkia Devoll ka publikuar dokumentin përmes të cilit pretendon se kryebashkiaku Eduard Duro ka firmosur gjithçka konform ligjit për licensimin e një karburanti pranë Kapshticës. Zyra e Shtypit të Bashkisë ka ndarë dokumentin e autorizimit për subjektin që është firmosur nga vetë Duro.
“Lidhur me lajmin që sapo është publikuar, po ju vendosim në dispozicion autorizimin që është dhënë nga ana e Bashkisë Devoll për karburantin. Autorizimi është bërë nga drejtoria e tatim taksave, konform ligjit. Në këtë rast, nga ana e kryetarit të bashkisë Eduard Duro është firmosur autorizimi, duke plotësuar detyrën në kushtet e një kryetari bashkie. Nga ana e palës tjetër, është bërë denoncim se ky dokument nuk duhej t’i jepej subjektit "Genci Petrol", por në këtë rast autorizimi është dhënë sipas ligjit,”- shkruhet krah dokumentit.


Sot, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë të pandehur kryebashkiakun e Devollit, Eduard Duro. Duro akuzohet për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Duro dyshohet se ka licencuar një pikë karburanti e cila ishte ndërtuar pa leje. Vetë Kryebashkiaku në reagimin e tij tha se ka zbatuar ligjin.