KORÇË- Gjykata e Korçës ka dhënë sot masën e sigurisë për 9 nga 10 personat e arrestuar lidhur me sherrin masiv brenda një lokali në Korçë, më 31 gusht, si pasojë e të cilit mbetën të plagosur 2 persona Sotiraq Shkurta dhe Mihal Xhibro.
Prokuroria kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg” për 54-vjeçarin Dritan Pino, e cila u pranua nga gjykata duke e lënë pas hekurave këtë të fundit. Ndërsa për 8 të arrestuarit e tjerë, prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” e cila po ashtu u pranua nga Gjykata. Të arrestuarit e tjerë janë: Petrika Ropi, Ilir Shukulli, Mihal Zhidro, Serxho Mema, Salvi Asllan, Gersi Dervishi, Rafail Kocaqi dhe Kristi Lamçe.
Mësohet se për të arrestuarin Sotiraq Shkurti, i cili mbeti i plagosur dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, masa e sigurisë do të zhvillohet në ambientet e Spitalit Rajonal të Korçës.
Një ditë më parë u publikuan dhe pamjet e sherrit masiv, ku në vetëm pak minuta konfrontimi fizik ka degraduar në hedhje të karrigeve të lokalit kundrejt njëri-tjetrit dhe përdorimit të thikës e shkopave të bejsbollit. Gjithçka ka ndodhur brenda ambienteve të lokalit ku ndodheshin edhe klientë të tjerë të cilët janë larguar të tmerruar.
Gjithsej në pranga ranë 10 persona, duke përfshirë edhe dy të plagosurit. Dritan Pino 54 vjeç akuzohet për “Vrasja me dashje” (mbetur në tentativë), “Plagosja e rëndë me dashje”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Shkatërrimi i pronës”, “Deklarimi i rremë”, “Prishja e qetësisë publike”, dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”. Të nëntë personat e fundit akuzohen për: “Plagosja e rëndë me dashje”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Shkatërrimi i pronës”, “Deklarimi i rremë” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Një tjetër person u shpall në kërkim, ndërsa pronari i lokalit u procedua penalisht për punësim të paligjshëm./ZËRI

