
TIRANË- Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka nënkuptuar se mund të ketë ndërtime të mundshme në Parkun Kombëtar të Divjakës. Në një intervistë të dhënë për emisionin "Kjo Javë", ministrja Kumbaro foli fillimisht për ligjin e ndryshuar për zonat e mbrojtura, ndërsa më pas u pyet konkretisht për Parkun e Divjakës. Mes rreshtave, ajo pranoi se mund të kishtë ndërtime, pasi po sipas saj, duhet të ndiqej nevoja për zhvillim. Për ta përmbyllur më pas, shtoi se ndërtimet, siç mund të ndodhin në Divjakë, do të jenë në përputhje me rregullat e reja të vendosura me ligj.
“Parku kombëtar i Divjakës që është një nga lagunat tona më të jashtëzakonshme. Madje në draft ligjin e ri është theksuar që ekosistemet në sipërfaqen ujore janë më të rëndësishme dhe nuk duhet të preken. Një ndër përmirësimet që sjell nënvizon nevojat për kërkesën më strikte për çdo zonë të mbrojtur. Ligji i vitit 2017, vendosi për herë të parë rregulla, por realiteti duhet ta ndjekim nga pas për të gjetur balancën e duhur midis nevojës për zhvillim në disa zona me kritere të forta dhe mbrojtjes së mjedisit. Këto kritere do të kalojnë në katër filtra, agjencia e mjedisit, ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe më pas qeveria,”- u shpreh ajo.
Ditën e miratimit të ligjit për zonat e mbrojtura në Kuvend, Kumbaro komentoi edhe lidhur me projektin që po qarkullon në rrjet për ndërtimin e një resorti në Parkun e Divjakës. Për rastin konkret, Kumbaro tha se fotot janë të pavërteta.
“Çfarë kam parë dhe unë të qarkullojë, fotografitë që kanë qarkulluar janë të pavërteta, nuk ka një projekt të tillë. Është një përhapje lajmesh të pavërteta. Nuk ka asnjë shqyrtim të një projekti të tillë. Nuk ka asnjë projekt të tillë,”- tha ministrja.
Projekti i prezantuar në media deri më tani është komentuar vetëm nga ministrja, e cila si më herët shprehet se ende nuk u është dorëzuar një projekt i tillë për ndërtime në Divjakë. Por nuk e ka përjashtuar kurrë si mundësi që të ketë ndërtime në zonën që mban statusin e Parkut Kombëtar./ZËRI