
BELSH- Tregtarët e Bashkisë së Belshit kanë dalë në protestë ditën e sotme kundër vendimit të Këshillit Bashkiak për heqjen e tregut nga qyteti. Për të kundërshtuar vendimin e Bashkisë së Belshit, tregtarët kanë hyrë me forcë në ambientet e institucionit dhe kanë kërkuar një takim me kryebashkiakun. Por teksa tentonin të futeshin në godinë, Policia Bashkiake ka mbyllur derën dhe i ka penguar që tregtarët të marrin informacion, megjithata tregëtarët ia kanë dalë që të hapin derën kryesore me forcë.
"Ky është kryetari. Duhet që një përfaqësuesi i juaji të vijë dhe të zgjidhë hallet me ne, jemi taksapagues të këtij shteti. Kemi një muaj pa punë. Është ora 11.15, na e thoni kur e ka orarin? Si nuk dilka një person? Ju e bëni bashkarisht çdo gjë. Kryetari na tha ditën e hënë do iu presim. Na ka lënë një muaj pa punë. Ke të drejtë të na respektosh, o zotëri të lutem shumë, na thuaj ku është kryetari? A ka punonjës bashkia? Ky është një institucion që s'ka kryetar,"-i janë drejtuar tregtarët, policisë bashkiake në Belsh. Por si përgjigje nga kreu i Policisë Bashkiake në Belsh kanë marrë vetëm shtyrjen e datës.
"Kryetari nuk është sot, hajdeni nesër prapë,"- u tha ai tregtarëve.
Ndërsa pas tij, një reagim ka ardhur edhe nga sekretari i Përgjithshëm, Mustafa Çarçiu. Sipas tij zhvendosja e tregut është kryer me vendim të këshillit bashkiak, me pretendimin se zona e improvizuar për tregun nuk kishte kushte skandaloze higjeno-sanitare. Gjiithashtu, sipas tij, tregu ishte kthyer në një burim aksidetesh dhe pengesë serioze për qarkullimin e mjeteve dhe turistët që vizitojnë Dumrenë.
“Pretendimet e tyre nuk qëndrojnë dhe është e drejta e tyre që të protestojnë. Aktualisht Bashkia me financim të qeverisë ka ndërtuar një treg bashkëkohor ku secilit i ofrohen kushte mjaft të mira dhe ku do të funksionojë gjithçka sipas rregullave. Një pjesë e madhe e atyre që ushtronin aktivitetin e tyre në tregun e improvizuar tashmë janë zhvendosur në tregun e ri dhe ndjehen shumë mirë dhe klientët nuk i kanë të paktë. Ndërkohë bashkia ka në plan që në një të ardhme të ndërtojë një markatë edhe në qytet,”- tha Çarçiu.
Nga ana tjetër, tregtarët në Bashkinë e Belshit pretendojnë se spostimi i tregut nga periferia e qytetit drejt fshatit Marinëz, rreth 5 km larg Belshit. Kjo lëvizje që do t'i bëjë Bashkia, i penalizon pasi është shumë larg zonës së banuar dhe askush nuk do të shkojë më për të blerë. Ata pretendojnë se nuk do tërhiqen nga kërkesa e drejtë e tyre dhe se do t’i përshkallëzojnë protestat deri në bllokimin e rrugëve, derisa të gjejnë një zgjidhje të mesme./ZËRI