Aktualitet

Gjykata Kushtetuese pezullon zbatimin e ligjit për studentët e Mjekësisë

Studentët e Mjekësisë kanë fituar të drejtën e tyre në Kushtetuese

E.K
Gjykata Kushtetuese pezullon zbatimin e ligjit për studentët e
Protestat e studenteve te Mjekesise

TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka pezulluar deri në shqyrtimin e plotë të çëshjes, zbatimin e ligjit që detyron studentët e Mjekësisë që të punojnë për 5 vite në Shqipëri pas përfundimit të studimeve në këmbim të diplomës universitare. Çështja u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike, pas qëndresës së vazhdueshme që bënë studentët e Mjekësisë. Gjykata u ka dhënë përkohësisht të drejtë studentëve, të cilët bojkotuan rreth një muaj vitin e ri akademik 2023-2024.  

Ligji kaloi në Kuvend me votat e mazhorancës, ndërkohë që studentët kanë pretenduar vazhdimisht se kjo ishte një shkelje e të drejtave të tyre themelore. Në vendimin e qeverisë thuhej se studentët që nuk pranojnë të punojnë për 5 vite pas studimeve në Shqipëri, ishin të detyruar që të paguanin një tarifë vjetore prej afro 2400 eurosh. Ndërkohë që studentët e viteve të para nuk kishin fare mundësi zgjedhjeje.

Protestat e studentëve kanë nisur që në muajin Qershor, kur projektligji ishte pjesë e diskutimeve në Komisionet Parlamentare.

VENDIMI: 

Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, sot në datën 14.11.2023, pasi mori në shqyrtim kërkesën nr. 1 (Nj) 2023 të Regjistrit Themeltar, me kërkues një grup deputetësh të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (jo më pak se një e pesta e deputetëve) dhe Anxhela Gjini, Alesia Cara, Diora Hoxha, Argisa Troka, Xhesika Xhebexhiu, Juri Taullau, Sindy Allamani, Isabela Tabaku, Dea Guri, Natali Bliu, Joel Plaku, Mikel Seferi, Reant Kullaj, Brunelio Fejzulla, Viki Zaçlli, Rei Haluli, Feruze Agalliu, Oresti Çaça, Marjo Rabiaj, Paulo Qesargjoni, Endi Muçi, Arbëri Shehu, Samuel Dërka, Thimi Shkarpa, Kristina Çelanji, Athina Prifti, Almira Tota, Zino Veleshnja, Erdi Podo, Anxhela Miraka, Gani Krrashi, Klevi Gugallja, Flavio Elezi, Ledion Mane, Eugen Lazaj, Igli Hoxhaj, Arlind Kasëmi, me objekt “Shfuqizimi i nenit 4, pikat 1, shkronja “c”, 2, shkronja “b”, 3, shkronja “b” dhe nenit 5, fjalia e parë, të ligjit nr. 60/2023 “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Pezullimi i ligjit nr. 60/2023 “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”, deri në hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, bazuar në nenin 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar,

VENDOSI:

Pranimin e kërkesës për pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 60/2023 “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”.

/Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB