
TIRANË- "Made in Albania" do të jetë shumë shpejt një brand për armë! Pas vizitës së presidentit ukrainas në Shqipëri, Volodymir Zelenskyy, qeveria ka hartuar dhe ka hedhur për konsultim publik projektligjin që rregullon industrinë e prodhimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve të zjarrit. Për të ndjekur të gjitha hallkat e procesit, qeveria do të ngrejë Agjencinë e Industrisë së Mbrojtjes (AIM), e cila do të jetë përgjegjëse për licencimin, mbikëqyrjen dhe rregullimin e sektorit të prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armatimit ushtarak. Në projekt-ligj theksohet se të gjitha kompanitë shqiptare apo të huaja të cilat do të aplikojnë për licensim, do ti duhet të planifikojnë një investim fillestar prej së paku 25 milionë euro. Si përfitim, nuk do të duhet që t'i paguajnë shteti taksa për 10 vite. Por jo vetëm kaq, do t'i jepet ndihmë edhe për mbulimin e shpenzimeve utilitare, si dritat, uji e gazi. Edhe kjo për 10 vite.
Megjithatë, edhe subjektet duhet të plotësojnë një sërë kriteresh. Përveç investimit fillestar, subjektet duhet të kenë një plan për investim në vitin e parë të aktivitetit. Ky investim duhet të kapë vlerën e 5 milionëve euro. Gjithashtu, subjekti duhet të jetë i regjistruar për aktivitetin e prodhimit të armatimit ushtarak dhe të ketë të qartë një plan afatshkurtër 3-vjeçar me detaje për punën që do të kryehet. Gjithashtu subjekti duhet të jetë i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe të vërë në dispozicion pasqyrat financiare të audituara për të paktën 3 vitet e fundit.
Sa i përket, Agjensisë së Industrisë së Mbrojtjes, ajo do të jetë në vartësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Në projektligj, sqarohet se AIM do të ketë në "dorë" të lëshojë, rinovojë, pezullojë, revokojë licensat për të gjitha subjektet. Kreu i kësaj agjensie do të propozohet nga Ministri i Mbrojtjes dhe më pas, emërimin e bën kryeministri. Agjencia ka detyrë dhe mbikqyrjen zbatimin e legjislacionit, kryen inspektime, por edhe gjurmon armët në regjistrin elektronik. Mbi ta rëndon përgjegjësia që të sigurohën që subjektet të zbatojnë standarde të sigurisë për të parandaluar incidentet. Por gjithashtu, edhe shitjen e paligjshme të armëve që mund të prodhohen.
“Të gjithë subjektet shtetërore dhe private, të cilat ushtrojnë veprimtari brenda fushës së zbatimit të këtij ligji, ushtrojnë përgjegjësinë dhe kujdesin e duhur për parandalimin dhe ndalimin e akteve korruptive, të përvetësimit të paligjshëm të interesave, të shpërdorimit dhe trafikimit të armatimit ushtarak, të përhapjes së tyre në masë, të akumulimit të paligjshëm të armëve që mund të përdoren nga rrjetet e krimit të organizuar, apo të përdoren për akte terrorizmi, agresioni të brendshëm apo ndërkombëtar, ose shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare,”- thuhet në pikën 4 të pr/ligjit
Një tjetër pikë që vlen për t'u theksuar është fakti që projektligji ndalon prodhimin dhe tregtimin, në çdo formë, të armëve biologjike, kimike dhe bërthamore. Me të gjitha këto detaje dhe të tjera, ky projektligj mund të jetë ndër të parët që do të diskutohen në sesionin e ri paralamentar që pritet të nsië në shtator, pasi deputetet të kthehen nga pushimet e verës./ZËRI
PROJEKTLIGJIN E PLOTË MUND TA LEXONI MË POSHTË: