ITALI-Qeveria italiane po përgatit një plan të ri për rikthimin e funksionit fillestar të qendrave të emigrantëve në Shqipëri, duke synuar që aty të strehohen migrantët e shpëtuar në det. La Repubblica shkruan se ekzekutivi i drejtuar nga Giorgia Meloni po punon për një dekret të ri që pritet të miratohet në muajin qershor.
Nesër në Parlamentin italian do të shqyrtohet teksti për ratifikimin e marrëveshjes së re Itali-Shqipëri për “bashkëpunim strategjik”, e nënshkruar nga kryeministrja Giorgia Meloni dhe kryeministri shqiptar Edi Rama më 13 nëntor 2025.
Projektligji do të kalojë fillimisht në Komisionin e Mbrojtjes në Dhomën e Deputetëve për një opinion konsultativ, më pas në Komisionin e Buxhetit dhe më tej në Komisionin e Punëve të Jashtme.
Teksti i marrëveshjes parashikon “zbatimin efektiv të protokollit për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”, i nënshkruar po nga Meloni dhe Rama më 6 nëntor 2023. Në dokument thuhet se Italia dhe Shqipëria bien dakord të “zhvillojnë më tej bashkëpunimin për zgjidhje inovative në pritje të hyrjes në fuqi të Paktit Europian për Migracionin dhe Azilin në qershor 2026”.
La Repubblica shkruan se sipas burimeve të partisë Fratelli d’Italia, plani është që strukturat në brigjet lindore të Adriatikut të rikthehen në funksionin e tyre fillestar: pritjen e migrantëve të shpëtuar në det. Qeveria pret miratimin përfundimtar të Paktit të ri Europian për Migracionin, i parashikuar në qershor 2026. Më pas pritet një dekret i ri, ndoshta një dekret ligjor ose ministror, për rikthimin te plani fillestar.