TIRANË-Gjykata e Lartë do të shqyrtojë më datë 28 maj rekursin e radhës të kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili kërkon ndryshimin e masës së sigurisë ‘arrest me burg’ duke e zëvendësuar me një tjetër masë më të lehtë sigurie.
Veliaj kërkon shfuqizimin e vendimeve të marra nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) si dhe Apeli i Posaçëm, duke pretenduar se masa e sigurisë është e pabazuar. Kërkesa e Veliajt vjen në një kohë që Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë rishikuan një vendim unifikues të vitit 2011 mbi masën e sigurimit të arrestit në burg. Gjykata e Lartë vendosi që masa e arrestit me burg të vendoset vetëm kur masat e tjera janë të papërshtatshme.
Më 9 shkurt, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi të kalojë për gjykim dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, si dhe të pandehurve të tjerë.
Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit 2025. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI