
GREQI- Georgia Murati u masakrua me thikë nga partneri i saj 39-vjeçar dhe shoku i tij, 34 vjeç. Autopsia ka dalë në përfundimin se goditjet me thikë që ka pësuar shqiptarja, kanë qenë aq brrutale, saqë i kanë thyer edhe rruazat e qafës. Tronditës është edhe fakti se si dyshja i kanë çarë me thikë mitrën shqiptares, e cila ishte dhe në pritje të një fëmijë me njeriun që bashkëpunoi në vrasjen e saj. Nëna e 41-vjeçares ka deklaruar se nuk mjaftohet me burgun dhe se dy autorët duhen vrarë. Por, as 39-vjeçari dhe as shoku i tij nuk pranjnë të kenë lidhje me krimin makabër. Ata fajësojnë njëri-tjetrin.
34-vjeçari akuzohet për bashkëpunim në rastin e vrasjes brutale të Georgia Muratit, pasi ka treguar në polici vendin ku kanë hedhur trupin e gruas shtatzënë dhe ka rrëfyer se përfshirja e tij e vetme kishte të bënte me transportimin e trupit me valixhe, nga shtëpia në pyll.
“Kur partneri i saj mori thikën më kërkoi që të largohesha, dola nga ndërtesa dhe prita në makinë. Pastaj erdhi dhe më tha që e kishte vrarë. Unë thjesht e ndihmova të transportonim trupin,”- ka dëshmuar 34-vjeçari.
Ndërkohë vetë partneri i Georgias, ka deklaruar se krimi makabër është kryer nga shoku i tij. Në seancën që duhet të kërkonte falje, ai është shprehur se nuk është ai personi që shfaqet në videon që i është paraqitur nga hetuesit, ku shihet me valixhe në duar, brenda të cilës ishte futur trupi i shqiptares. Ai madje është shprehur se një natë para krimit, ka pirë tre qetësues që të flinte i qetë dhe të nesërmen thjesht është zgjuar.
“Georgia ishte i vetmi person që kisha në botë. Nuk do të rrëfej për diçka që nuk e kam bërë. Atë natë mora tre pilula gjumi dhe nuk kuptova asgjë, të nesërmen u zgjova në mëngjes. Nuk jam unë ai që paraqitet në video,”- tha partneri 39-vjeçar i 41-vjeçares.
41-vjeçarja shqiptare ishte nënë e një vajze 13-vjeçare nga martesa e parë ndërsa bashkëjetonte së fundmi me 39-vjeçarin. Ishte ky i fundit që denoncoi zhdukjen e Muratit gjatë natës së ndërrimit të viteve duke deklaruar në polici se partnerja e tij nuk ishte kthyer në shtëpi pas punës. Partneri i viktimës më herët kishte tentuar të devijonte hetimet e autoriteteve duke deklaruar se gruaja i kishte dërguar një mesazh ku i thoshte se kishte shkuar nga shtëpia e mamasë së saj, ndërsa kishte marrë me vete edhe një shumë prej 5000 eurosh. Trupi i shqiptares u gjet në një zonë të pyllëzuar brenda një valixheje, tetë ditë pasi ishte vrarë.