
GJERMANI- Gjykata rajonale e Aachen në Gjermani ka kërkuar këtë të hënë burg për jetë për Besmir Ademin, 37-vjeçarin shqiptar që masakroi me thikë nënën e tre fëmijëve të tij Jetmira Bekën në parkingun përballë një dyqani kompjuterësh. Pasi e vrau, Ademi e filmoi gruan teksa jepte shpirt në rrugë.
Në sallën e gjyqit Besmir Ademi u shfaq i penduar, por kjo nuk e zhbën ngjarjen e rëndë. Sipas tij, fëmijët tashmë kanë mbetur jetimë.
Besmir Ademi: Fëmijët i kam lënë jetimë. Do të bëja gjithçka për ta zhbërë. Nuk e mbaj mend aktin. Kam një dhimbje të madhe.
Vrasja makabër e Jetmira Bekës u regjistrua më 20 maj. Besmir Ademi kishte planifikuar gjithçka. 37-vjeçari kishte folur në telefon me Jetmirën dhe i kishte kërkuar që të takoheshin në një parking të Obit me qëllim që ti dorëzonte një nga tre fëmijët. Por në momentin që është takuar me 28-vjeçaren e ka masakruar me thikë. 20 goditjet kanë qenë fatale për të, duke ndërruar jetë në vendin e ngjarjes./ZËRI