Aktualitet

Mbi 21 mijë vajza 'të zhdukura'; aborti selektiv në Shqipëri nxit hendekun gjinor

Familjet që tashmë kanë një vajzë, afërsisht një e katërta thanë se do të zgjidhnin të bënin një abort sesa të kishin një vajzë tjetër. Kjo sipas një studimi të përpiluar nga OKB.

k.m.
Mbi 21 mijë vajza 'të zhdukura'; aborti selektiv në
Foto ilustruese

TIRANË- Kur Lina zbuloi se ishte shtatzënë me një vajzë tjetër, vendosi të ndërpresë shtatzëninë pasi bashkëshorti i saj u bë gjithnjë e më i dhunshëm. Ky fëmijë do të ishte vajza e katërt në vend të një djali. Vendimi i saj është bërë relativisht i zakonshëm në vendlindjen e saj, Shqipërinë dhe në të gjithë Ballkanin, ku një kulturë patriarkale mbizotëruese ka shtyrë shumë familje të lidhin shpresat e tyre te një djalë.

“Kur burri im mësoi se fëmija ynë i katërt do të ishte ende vajzë dhe se unë nuk do të mund t'i jepja një djalë, ai u bë aq i dhunshëm sa për pak sa nuk më vrau,”- tha Lina, e cila përdori një pseudonim për të fshehur identitetin e saj.

“Isha gati të rrezikoja jetën për të mos lindur këtë fëmijë,”- shtoi 40-vjeçarja.

Ajo shton se vuan nga problemet në gjenitale, të shkaktuara nga procedura, e kryer në kushte johigjienike tre vjet më parë. Edhe nga vlerësimet më modeste Shqipërisë i mungojnë mijëra vajza.

“Kur prindërit mësojnë se fetusi është vajzë, ata zgjedhin, për arsye të ndryshme, të abortojnë në vend që ta mbajnë foshnjën. Gjatë dhjetë viteve të fundit 21 mijë vajza janë "zhdukur" në Shqipëri”, tha për AFP Manuela Bello, përfaqësuese e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) në Shqipëri.

Familjet që tashmë kanë një vajzë, afërsisht një e katërta thanë se do të zgjidhnin të bënin një abort sesa të kishin një vajzë tjetër. Kjo sipas një studimi të përpiluar nga OKB.

'Mosekuilibri social'

Ndërmjet viteve 2000 dhe 2020, Shqipëria renditet e katërta në botë për madhësinë e diferencës midis lindjeve të vajzave dhe djemve- me një mesatare prej 111 meshkuj të lindur për çdo 100 vajza. 

"Shifrat mbeten më të larta se mesatarja biologjike, e cila është rreth 105 lindje djemsh për çdo 100 vajza,"-shpjegoi Arjan Gjonca, një profesor i specializuar në demografi në Shkollën e Ekonomisë dhe Shkencave Politike në Londër.

Aborti është i ligjshëm në Shqipëri deri në javën e 12-të të shtatzënisë, me leje të posaçme nga mjekët që nevojiten për ndërprerje të mëvonshme. Por disponueshmëria e një testi gjaku që e bën më të lehtë njohjen e gjinisë së një fetusi është tregues se bëhet e vështirë ta ndalosh praktikën.

“Është gjithnjë e më e vështirë të vërtetohet se shtatzënia u ndërpre për shkak se fetusi ishte vajzë,”-tha gjinekologia nga Tirana, Rubena Mosiu.

Gratë në Shqipëri po i drejtohen gjithnjë e më shumë testit të thjeshtë, i cili është i disponueshëm gjatë javës së shtatë të shtatzënisë dhe mund të tregojë gjininë e foshnjës me më shumë se 90 për qind saktësi.

Për ekzaminimin nuk kërkohet leje nga mjeku.

'Histori e hidhur familjare'

Pavarësisht rritjes së ndërgjegjësimit, vlerat e rrënjosura thellë mund të jenë të vështira për t'u përmbysur.

"Në një pjesë të madhe të Ballkanit, një fëmijë mashkull besohet të jetë "shtylla e familjes", ndërsa vajzat shihen si "barrë ose seksi më i dobët në një shoqëri agresive,"- tha Anila Hoxha, një gazetare investigative.

Në Malin e Zi fqinj, abortet me përzgjedhje gjinore mbeten një çështje e përhershme, pavarësisht përmirësimeve të fundit. Roli i nënshtruar i grave në familje, së bashku me varësinë e tyre ekonomike nga burrat, sepse shumë prej tyre nuk trashëgojnë pronë, vetëm nxitin nivele më të mëdha të pabarazisë.

Në vitin 2017, qendra nisi një fushatë të quajtur "#Të padëshiruara".

Shpesh sfidat më të mëdha vijnë nga tensionet brenda familjes.

Maria, e cila foli në kushte anonimiteti tha se ajo u përball me presionin e madh nga vjehrra dhe kunati i saj pasi zbuloi se ishte shtatzënë me një vajzë.

"Ata ishin shumë të pakënaqur. Madje, vjehrra ime më ofroi të më çonte të abortoja në shtëpinë e dikujt që ajo e njihte, i cili kryen aborte në mënyrat e vjetra dhe të rrezikshme,"- tha ajo gjatë një interviste me UNFPA.

Por në fund, Maria nuk pranoi të dorëzohej në presionin e tyre.

“Vendosa ta mbaj fëmijën. Por unë nuk do t'i tregoj vajzës sime për historinë tonë të hidhur të familjes."/ZËRI

Marrë nga AFP

Poll

MOS HUMB