
TIRANË- Pas përfundimit të punimeve të mbledhjes së 57-të Komitetit të Memorandumit të Mirëkuptimit të Parisit, Shqipëria ka dalë nga lista e zezë si rezultat i raportit pozitiv të inspektimeve dhe ndalimeve të anijeve me flamur shqiptar në portet e vendeve të Bashkimit Evropian. Memorandumi i Mirëkuptimit të Parisit për Kontrollin e Porteve, tha se e ka zhvendosur Shqipërinë në listën e saj gri, pasi qëndrimin në listën e zezë për pesë vjet.
Ndërkohë edhe Autoriteti Portual Durrës bëri të ditur se tashmë çdo anije që mban flamurin shqiptar nëse do të prekë një port të një shteti anëtar të Memorandumit të Parisit dhe Bashkimit Europian, do të paraqitet si anije pa risk të lartë lundrimor.
"Flota shqiptare e anijeve ka dalë nga Lista e Zezë e Organizatës së Memorandumit të Mirëkuptimit të Parisit. Renditja e Shqipërisë tashmë në Listën Gri, është dëshmi se anijet tona përmbushin standardet ndërkombëtare të sigurisë dhe mjedisit, si dhe kushte mesatare të përshtatshme pune për anëtarët e ekuipazhit,"-thuhet në njoftim.

Lista e bardhë, gri dhe e zezë (WGB)” paraqet spektrin e plotë, nga flamujt cilësorë te flamujt me performancë të dobët që konsiderohen me rrezik të lartë ose shumë të lartë. Ai bazohet në numrin e përgjithshëm të inspektimeve dhe ndalimeve gjatë një periudhe 3-vjeçare rrotulluese për flamujt me të paktën 30 inspektime në atë periudhë./ZËRI