
SHKODËR- Policia ka arrestuar në shkodër Shkëlzen Xhenjen, shtetas me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore. Shkëlzen Xhenje është i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Metamorfoza”.
Shkëlzen Xhenje është njëri prej personave të përfshirë në vrasjen e Ismet Çekores për llogari të Asmer Bilalit, një nga personat e arrestuar në kuadër të operacionit 'Metamorfoza'. 32-vjeçari dyshohet gjithashtu si njëri prej autorëve të vendosjes së një sasie tritoli ndaj 34-vjeçarit Bledar Çekorja, më 28 janar 2014, në Shkodër. Për këtë ngjarje ai u arrestua dhe qëndroi në burg për 4 vite e 8 muaj, ndërsa u lirua duke përfituar nga një amnisti në atë kohë.
Një muaj pas lirimit, më 18 shkurt të 2017-ës Shkëlzen Xhenje u arrestua për plagosjen e Flutura Muçës. Kjo e fundit e akuzoi se atentati ishte porositur nga Sadetin Sula i dënuar me burg përjetë për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij Suela Sula, motra e të plagosurës Flutura Muça. Xhenje mohoi se ka lidhje me këtë ngjarje.
Më 22 shkurt 2018 u sulmua me thikë ish-trajneri i Vllaznisë, Ernest Gjoka. Autor i ngjarjes të këtij sulmi u dyshua Nehat Fojleta dhe Sehar Xhenje dyshohet se është personi që drejtoi mjetin me të cilin u larguan pas ngjarjes. Më 21 shkurt 2021 fillimisht Policia akuzoi si pjesëmarrës në tentativën e vrasjes së Taulant Pepaj, tre personat Shkëlzen Xhenje, Eljon Hato dhe vëllain e Shkëlzenit, Sehar Xhenje. Sehar Xhenje deklaroi nga Italia se nuk ndodhej në Shqipëri dhe se kishte disa ditë që kishte ikur drejt Italisë.
Gjykata e Shkodrës shpalli fajtor vetëm Shkëlzen Xhenjen, për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve”. Xhenje fillimisht është dënuar me 5 vite e 6 muaj burgim.
Më 2 shtator të këtij viti Shkëlzen Xhenje mendohet se është njëri prej personave të përfshirë të vrasjen e Ismet Çekorja për llogari të Asmer Bilalit, ndërsa për këtë ngjarje nuk ka asnjë person të shpallur në kërkim për mungesë provash. Nga ana tjetër, mësohet se viktima ka pasur lidhje shoqërore të ngushta me Asmer Bilalin. I ndjeri punonte në fermën që Asmer Bilali ka, ku kujdesej për kuajt e tij apo për punë të ndryshme që kishte./ZËRI