
TIRANË- Minatorët janë mbledhur sot për të protestuar para Ministrisë së Infrastrukturës duke kërkuar miratimin e statusit të veçantë. Me pankarta në duar, të gjithë kanë një mesazh: miratimin e statusit, duke u theksuar se kjo është e drejta e tyre, të cilën e kërkojnë prej kohësh. Sot në Ditën Ndërkombëtare të Minatorëve, ata kanë ndezur qirinj në shkallët e Ministrisë në nderim të kolegëve të tyre që kanë humbur jetën nëntokë. E po ashtu, kanë kërkuar edhe një takim me zv.kryeministren, njëherazi edhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku.
“Minatorët kanë të drejtën e botës për të kërkuar djersën e tyre, gjakun e tyre sepse kanë dhënë jetën e tyre në ato galeri, mundin e tyre, djersën e tyre për këtë shtet. Nëse minatorët nuk kanë një status të veçantë, atëherë kush do të duhet të ketë. Minatori futet deri në 3000 metra nën tokë, me rreziqe nga më të mëdha dhe në fund shteti nuk i jep as status të veçantë. Atë që kërkon sot minatorët është një e drejtë minimale,”- tha një aktivist gjatë protestës.
Ndër të tjera, ata i kërkuan edhe kryeministrit Edi Rama që të marrë parasysh kërkesën e tyre, duke paralajëmruar protesta të tjera derisa qeveria të marrë në konsideratë kërkesën e tyre. Në të kundërt, minatorët do të krijojnë një sindikatë dhe do të nisin me protesta në të gjithë vendin.
Kërkesat në Statusin e Minatorit
1. Pension i llogaritur sa paga minimale zyrtare herë 40%.
2. Ata punonjës që kanë mbi 10 vjet e 6 muaj në punë në nëntokë, për çdo vit mbi këtë kufi do të kenë shtesë pensioni me 2%.
3. Familjarët e minatorëve që kanë humbur jetën gjatë punës në minierë, bashkëshortja e ve kur nuk është e punësuar, fëmijet deri në moshën 18 vjeç, ose 26 vjeç kur ndjekin studimet e larta, përfitojnë pension në masën 100% të pagës minimale zyrtare.
4. Përfituesit e Statusit të minatorit duhet të bëjnë 2 herë në vit kontrolle mjekësore falas në institucionet shëndetësore publike apo private në vend.
5. Ne rast sëmundjesh që vërtetohet se vijnë direkt apo indirekt nga puna në nëntokë, përfituesit e Statusit të minatorit përfitojnë kurim falas në institucionet publike apo private që janë me kontratë me fondin e kujdesit shëndetësor.
6. Për çdo lloj sëmundje ilacet e përfituesëve të Statusit të minatorit janë 100% të rimbursueshme.
7. Pushteti vendor detyrohet të marrë masa për ripunësimin dhe strehimin e shkollimin e përfitueseve të statusit.
Në dhjetor të 2020 minatorët përmes Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, minatorët i dorëzuan Kuvendit një peticion me 10 mijë 680 firma për Statusin e Minatorit, por ende Kuvendi nuk e ka përfshirë në rend dite. Statusi i Minatorit shërben për minatorët dhe familjet e tyre. Nëse minatori vritet, aksidentohet apo ka një sëmundje të rëndë, familja apo minatori marrin mbështetje financiare përmes statusit. Po ashtu, marrin edhe një dëmshpërblim me vlerë 6 milionë lekë në rast aksidentesh me pasojë vdekjen në vendin e punës. Gjithashtu sipas draftit që aktualisht ndodhet në Kuvend, familjarët e viktimave duhet të marrin një pension të barabartë me 100% të pagës dhe bursa studimi për fëmijët. Në draft-propozimin e sindikatës, dëmshpërblim kërkohet edhe në raste aksidentesh me pasojë pamundësinë për punë apo aksidente më të lehta.
Sa i përket pagës, sipas propozimit minatori nuk duhet që të paguhet më pak se 235% e pagës minimale zyrtare. Me pagën aktuale minimale, minatorët kërkojnë rreth 61 mijë lekë pagesë bazë, shtesë në pagën bazë për vështirësi pune dhe paga e 13-të. Për minatorët në pension, kërkohet rritja në 35 mijë lekë. Një tjetër ndryshim kërkohet edhe për moshën e pensionimit. 53 vjeç duhet të pensionohen ata që kanë punuar për 11 vite, ndërsa ata që kanë 10 vite, 55 vjeç. Të gjithë kërkojnë kujdes shëndetësor të dedikuar, përfshirë barna 100% të rimbursueshme./ZËRI