TROPOJË- Sot është bërë java që nga zhdukja e një gruaje në Tropojë. Më 22 korrik, ishte hera e fundit që u pa 48-vjeçarja e identifikuar me inicialet N. Sh. nga familjarët e saj. I dyshuari kryesor për zhdukjen është bashkëshorti i 48-vjeçares, Imer Shpata i dënuar edhe më parë për dhunë në familje. Tashmë, 58-vjeçari është në pranga, por prej tij nuk ka dalë asnjë informacion se çfarë mund të ketë ndodhur me të shoqen.
Gjatë marrjes në pyetje, 58-vjeçari ka deklaruar se nuk e di ku mund te jetë bashkëshortja e tij duke shtuar se këtë të fundit e ka lënë në banesë kur vetë ishte nisur për tek e motra. Në të vërtetë kështu ka ndodhur! Ditën e martë në darke më datë 22 korrik rezulton se 48-vjeçarja ka qenë në banesë bashkë me 58-vjeçarin pasi rreth orës 22:00 fëmijët kanë folur në telefon me nënën e tyre.
Pastaj me të gdhirë data 23 korrik, 58-vjeçari Imer Shpata është nisur me makinë dhe ka ikur në Durrës tek e motra. Përveçse është i dënuar me 8 muaj burg për dhunimin e bashkëshortes, një tjetër arsye përse dyshohet tek Shpata është fakti se telefoni i bashkëshortes së tij i është gjetur në makinë. Kur është pyetur nga hetuesit për këtë detaj, 58-vjeçari ka deklaruar se nuk e di kush ia ka futur telefonin celular të gruas në makinë. Ndërkohë që të dy jetonin të vetëm, pasi fëmijët ishin të shpërndarë jashtë vendit dhe në Tiranë. Edhe ata janë marrë në pyetje, por kanë deklaruar se nuk kanë asnjë informacion për mamanë e tyre.
Ndërkohë, Policia e Kukësit po vijon hetimet intensive për zbardhjen e ngjarjes dhe ka sekuestruar dhe po këqyr kamerat e sigurisë të itinerarit të rrugës që ka ndjekur 58-vjeçari nga Tropoja në Durrës. Kjo pasi ka dyshime të forta se bashkëshorti ka lidhje me zhdukjen e 48-vjeçares. Aktualisht, ai është në pranga se nga kontrollet në banesë iu gjetën dhe 2 armë zjarri pa leje./ZËRI

