Aktualitet

Mjeti u mor me qera, Çipa: Efektivët e humbën makinën pas ndjekjes prej 90 minutash, më pas gjetën viktimat

Drejtori i policisë zbuloi se mjeti nuk ishte në pronësi të shoferit Sokol Ismeti, por ishte marrë me qera në Shkodër

E.K
Mjeti u mor me qera, Çipa: Efektivët e humbën makinën pas
Ardian Cipa

KËLCYRË- Drejtori i policisë së Gjirokastrës, Ardian Çipa, ka dhënë detaje nga aksidenti tragjik që ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm në Këlcyrë, ku mbetën të vdekur 8 persona, 7 prej të cilëve dyshohet të jenë emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta.

Çipa sqaroi se makina tip “Benz” është pikasur për herë të parë rreth orës 02:20 të mëngjesit nga patrulla e policisë së Këlcyrës teksa lëvizte me shpejtësi. Sipas drejtorit të Policisë, efektivët i kanë bërë thirrje shoferit për të ndaluar, por ky i fundit nuk iu është bindur, duke shtuar gazin e makinës, dhe duke lëvizur në drejtim të Përmetit.

Pas tij janë vëmë punonjësit e Policisë, që sipas Çipës, pas rreth një ore e gjysmë kanë humbur kontaktin visual me makinën. Ata kanë nisur pyetjen e njerëzve në zonë, derisa janë afruar në vendin ku ka ndodhur aksidenti, dhe kanë parë makinën në shtratin e lumit Vjosa.

“Rreth orës 02:20 të datës 2 prill në afërsi të Këlcyrës, patrulla këmbësore e stacionit të policisë Këlcyrë ka hasur një automjet që po lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuar. Në përpjekje e sipër për t’i bërë shenjë për të ndaluar, automjeti është kthyer menjëherë dhe është nisur në drejtim nga qyteti i Përmetit.

Patrulla e policisë, e cila ishte me shërbim për kontrollin e territorit si dhe aksin Përmet-Këlcyrë me automjetin e vet është përpjekur të marrë kontroll vizual mbi automjetin dhe e ka ndjekur deri në afërsi të vendit të ngjarjes.

Menjëherë ka informuar sallën operative dhe ka transmetuar të gjithë informacionin për automjetin e dyshimtë, i cili ishte larguar me shpejtësi të madhe në drejtim të Përmetit.

Rreth orës 03:55 duke qenë se nuk është konstatuar automjeti, patrulla me një automjet ka lëvizur në drejtim të Përmetit duke marrë kontakt dhe me qytetarë të ndryshëm, të cilët i ka pyetur lidhur nëse kanë parë apo jo një mjet të tillë i cili ka ikur me shpejtësi.

Duke qenë se nuk ka marrë informacion ka filluar inspektimin e gjithë zonës dhe pikërisht në vendin ku ndodhemi ku ka ndodhur dhe aksidenti ka parë shenja të një aksidenti rrugor dhe më pas ka mundur të lokalizojë automjetin që ka rënë në afërsi të lumit Vjosa. Ka zbritur poshtë dhe menjëherë ka transmetuar informacionin shërbimeve që më pas kanë njoftuar prokurorin dhe grupin hetimor për të ardhur në vendngjarje”, u shpreh drejtori i policisë Çipa.

Zona në fjalë njihet për transportin e klandestinëve. Prandaj edhe sipas kqyrjes paraprake dyshohet se shtatë prej tyre janë nga vendet e Lindjes së Mesme, ndërsa shoferi nga Shkodra.

Për këtë të fundit po vijon puna për identifikimin e plotë. Ndërkohë edhe prokurori Petrit Çano thotë se do të bashkëpunojnë me të gjitha ambasadat me qëllim zbulimin e emrave të viktimave të tjerë. Sa i përket makinës ajo rezulton se është marrë me qira në Shkodër dhe nuk është pronar drejtuesi./ZËRI 

Poll

MOS HUMB