
Viti 2023 ka qenë i ngarkuar me ngjarje që kanë prekur thellësisht jetën e njerëzve. Ky vit do të mbahet mend për një sërë skenash të cilat kanë tronditur mbarë opinionin. Kryesisht luftrat, tërmetet, përmbytjet, vrasjet dhe ngjarjet e rënda brenda në familje kanë karakterizuar vitin që po lëmë pas.
ZERI ju sjell disa nga ngjarjet më prekëse që pushtuan rrjetin dhe mediat kryesore në botë, rajon dhe Shqipëri.
1-Rusi-Ukrainë dhe Izrael-Hamas, janë dy luftrat në horizont
Brenda një periudhe rreth 20 mujore, dy luftëra shumë të rënda, me përmasa të pazakonta, tronditën botën. Teksa pushtimi rus i Ukrainës hyn në vitin e tretë, një konflikt i ri mes Izraelit dhe Palestinës do të shqetësonte mbarë opinonin publik.
Më 7 tetor, grupi militant palestinez Hamas filloi një sulm brutal ndaj Izraelit, duke vrarë më shumë se 1200 njerëz dhe duke rrëmbyer rreth 250 të tjerë. Ajo çfarë pasoi ishte hakmarrja e Izraelit, me rreth 20.000 viktima. Lufta nuk do të sillte vetëm viktima por dhe një krizë humanitare në ushqim, ujë dhe energji elektrike. Secila ditë është kthyer në cikël të vazhdueshëm të kërkimit për bukë dhe ujë. Momentet e dhimbshme të luftës:
-Një nga momentet më të dhimbshme të luftës është skena kaotike teksa njerëzit e uritur vrapojnë pas kamionëve që transportonin ndihma dhe radhët e gjata për një bukë
-Një episode torture nga ushtria izraelite ku qindra burra dhe fëmijëve palestinezë të zhveshur reshtohen në një stadium është një nga momentet tronditëse që karakterizon luftën.
-Një moment tjetër i dhimbshëm ishte ai i një gazetari, i cili duke raportuar drejtpërdrejt nga lufta mori vesh se gruaja, djali 15 vjeç dhe vajza e tij 6 vjeçe u vranë nga një bombardim izraelit.
-Mes vrasjeve dhe humbjeve të të afërmve momentet e ribashkimit emocionale të pengjeve të liruara izraelite me familjet e tyre, janë të vetmet çaste të lumtura në luftën e përgjakshme.
2-Tërmeti në Turqi dhe Siri
Në 6 shkurt të këtij viti do të ndodhte fatkeqësia më e rëndë natyrore që prej një shekulli në Evropë. E gjithë bota do të lutej për Turqinë dhe Sirinë, pas tërmetit me magnitudë 7.8 ballë që goditi vendin. Lëkundjet fatale sollën 50,000 viktima, mijëra të plagosur dhe shumë të zhdukur nën rrënoja.
Skenat e frikshme teksa ndërtesat shembeshin dhe njerëzit vraponin në panik të shpëtonin nuk mund të harrohen lehtë. Pamjet e trishta të momenteve të shpëtimit të njerëzve nga rrënojat bënë xhiron e rrjetit.
- Një moment prekës ishte ai i shpëptimit nga rrënoja i një familjeje dhe fëmijës së tyre 12 vjeç, pas 12 ditësh.
-Foshnja 2-muajshe nxirret e gjallë nga rrënojat pas 29 orësh
-Një moment i dhimbshëm ishte lindja e një foshnje në rrënoja, ndërsa nëna vdiq pasi e sjell në jetë
-Të gjithë u prekëm nga imazhi i vogëlushes 9-vjeçare e cila, mbulonte me trup vëllain e vogël nën rrënoja.
- Një tjetër moment i dhimbshëm ishte ai i një babai, i cili nuk i lëshonte dorën vajzës së tij 15-vjeçares që kishte humbur jetën nën rrënoja
3-Përmbytjet në Itali
Bota ktheu sytë nga Italia në muajin maj ku vendi u godit nga moti ekstrem me shira të dendur dhe era të forta. Pamjet ‘apokaliptike’ nga përmbytjet në Itali u bënë virale në rrjet. Rrugë e banesa të përmbytura, pemë të thyera, qytetarë që përpiqen të shpëtojnë veten dhe të afërmit e tyre ishin pamjet tronditëse që vinin nga Italia. ZERI sjell dy nga momentet më prekëse të katastrofës natyrore:
-Kuzhinieri shpëton nënën me djalin e saj 3-vjeçar në krah nga përmbytjet në Itali
-Momenti kur dy të moshuar u shpëtuan me helikopter nga çatia e tyre
4- Tragjedia me 14 viktima në Universitetin e Pragës
Një ngjarje tjetër do të trondiste botën në prag të festave të fundvitit. Sulmi në Universitetin e Pragës me 15 të vrarë, më 21 dhjetor, shënoi sulmin më të rëndë me të shtëna me armë zjarri në historinë e Çekisë. David Kozak 24-vjeç hapi zjarr me snajper drejt studentëve dhe më pas vrau veten.
-Pamjet tronditëse shokuan rrjetin ku studentët shihen teksa dalin duke vrapuar nga universiteti. Ndërsa një pjesë tjetër të tronditur dalin në parvazin e dritares dhe qëndrojnë të fshehur teksa ulërasin dhe kërkojnë ndihmë.
-Detajet e masakrës tronditën opinionin publik pasi 24-vjeçari dhjetë ditë përpara se të ndërmerte aktin ekstrem kishte postuar një mesazh në “Telegram”, ku tregonte se kishte dëshirë të kryente një vrasje masive në një shkollë.
-Një tjetër detaj i frikshëm do të zbulohej pak orë pas masakrës. Studenti i arteve, para sulmit ekzekutoi babanë e tij.
5- Vrasja e efektivit në veri të Kosovës
Një sulm në rajon do të merrte vëmendjen e botës. Në 24 shtator një prej komunave në veri të Kosovës, Zveçani ra pre e një sulmi të paprecedentë nga ana grupeve kriminale serbe, të cilët vranë efektivin në detyrë Afrim Bunjakun. Grupe të organizuara me uniforma, të armatosur rëndë mësynë në veri të vendit dhe qëlluan në drejtim të policisë së Kosovës, duke vrarë 1 efektiv dhe duke plagosur 2 të tjerë.
“Të vdesësh për atdhe është sikur të rilindësh përsëri”,- ishte fraza që qëndronte në një pankartë të vendosur në hyrje të qytetit të Prishtinës në Kosovë.
Me vrasjen e tij rrjeti shërrtheu në reagime kundër Serbisë dhe frika për një luftë në Kosovë u ringjall përsëri.
6-Djali vret nënën në Pejë
Një krim horror brenda familjes në Pejë do të trondiste vendin. Urim Buseni vrau nënën e tij. Por si duket nuk u mjaftua me kaq, pasi e vrau djali i ka prerë kokën nënës së tij dhe më pas i ka pirë gjakun. Arsyeja ‘qesharke’, pas krimit të rëndë ishte tronditëse. Urimi e kishte kryer krimin nën dyshimin se e ëma e ndau nga gruaja e dytë.
Ngjarje tronditëse dhe po aq prekëse do të karakterizonin vitin 2023 edhe për Shqipërinë.
1-Një nga ngjarjet më të bujshme dhe tronditëse ishte dhunimi i një 3-vjeçareje në kopshtin ‘Stinët’, të cilës iu thye këmba nga edukatorja.
Pamjet makabre teksa 3-vjeçarja dhunohej bënë bujë. Pas pamjeve shokuese se si dhunohej fëmija në institucionin e edukimit, prindër e banorë u ngritën në protestë. Nëna të prekura me lot në sy dhe të traumatizuara kërkuan hetimin e këtij skandali dhe drejtësi për fëmijët e tyre.
2- Një ngjarje tjetër e rëndë preku Shqipërinë. Eglainta Isufi 29 vjeç braktisi foshnjën e saj të sapolindur në ambientet e një garazhi në zonën e Yzberishtit në Tiranë. Gjesti i tmershëm tronditi vendin. Foshnja e sapolndur u braktis e mbështjellë me vetëm një batanije në bodrumin e pallati, ku nuk ia doli dot që të mbijetonte.
-Zëri sjell pamjet prekëse të divanit të shkatërruar në bodrumin e pallatit, mes lagështirës dhe pisllëkut ku nëna solli në jetë foshnjën dhe e la të braktisur mes errësirës dhe pisllëkut.
3- Historia e 26-vjeçares së përdhunuar nga tre të rinj në qytetin e Vlorës, u kthye në krye-lajm. Momenti tronditëse kur e reja e pavetëdijëshme nën efektin e drogës tërhiqet zvarrë në shkallët e hotelit nga personat që e përdhunuan, nuk mund të harrohet lehtë.
- Një moment tjetër emocional ishte ai, kur e reja preku me një letër dedikuar shqiptarëve: Ata nuk do e shkelin kurrë dinjitetin tim
4- Së fundmi një krim i rëndë, i cili më shumë i ngjan një skenari filmash tronditi të gjithë Kosovën e mbarë popullin shqiptar. Një histori e trishtë ku Liridona Murseli u vra në prani të fëmijëve nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli, duke paguar persona të tjerë. Krimi fillimisht u raportua si grabitje, por brenda 48 orëve zbulimi do të ishte tronditës. Urdhrin për vrasjen e saj e kishe lëshuar njeriu me të cilin ishte martuar dhe babai i dy djemve të saj.
-Pamjet e shtirjes së Naim Murselit me dorë në zemër dhe i pikëlluar në varrimin e gruas ishin tronditëse. Vrasja e Liridonës vijon të jetë një mister./ZËRI