
DURRËS- Sinoptikanët kanë paralajmëruar se fundjava do të jetë me reshje shiu në të gjithë territorin e Shqipërisë. Kjo ka sjellë edhe marrjen e masave nga portet kryesore në vend, në Durrës dhe Vlorë.
Autoriteti Portual i Durrësit ka njoftuar se janë pezulluar lundrimet e trageteve Durrës-Bari dhe Bari-Durrës. Lundrimi do të pezullohet për mbrëmjen e sotme. Vetëm lundrimet drejt Ankonës do të vazhdojnë normalisht.
“Si pasojë e motit të paqëndrueshëm, që pritet të përfshijë rajonin e Adriatikut, kompanitë e lundrimeve kanë njoftuar se mbrëmjen e sotme do të pezullohen lundrimet e trageteve nga Durrësit drejt Barit(Itali) dhe anasjelltas.
Referuar parashikimeve të autoriteteve detare forca e erës do të shkojë deri në 30 m/s, ndërsa dallgëzimi në det të hapur do të variojë nga 7-8 bft.
Jemi në vigjilencë të plotë për monitorimin e situatës deri në rikthimin në normalitet të kushteve të motit”, njofton Autoriteti Portual Durrës.
Edhe Porti i Vlorës ka njoftuar, se për shkak të motit të keq, është pezulluar lundrimi për tragetet e linjës drejt Italisë. Po ashtu është pezulluar lundrimi në det i mjeteve të vogla, peshkarexhave, mjeteve turistike etj.
Kjo situatë e motit pritet të vijojë deri në mesditën e 24 shtatorit./Zëri.ai/