TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të shtyjë sërish seancën për “Gërdecin”. Shkak i kësaj shtyrje është bërë mungesa e ish- ministrit të Brendshëm Fatmir Mediut, pasi ka marrë një ftesë në Kongresin Amerikan nga data 24 mars deri më 1 prill.
Avokati, Henrik Ligori është shprehur se Mediu duhet të jetë i pranishëm në seancë në mënyrë që të paraqisë komentet mbi akt ekspertimin tekniko-ushtarak. Ndërsa, avokati i familjeve Dorian Matlia kërkoi që të pretendimet të paraqiten me shkrim për ekonomi gjyqësore. Prokurori Klodian Braho e ka quajtur të pajustifikueshme mungesën e ish-minstrit dhe kërkoi që seanca të vazhdohej në prani të avokatit të tij. Por, kjo kërkesë u kundërshtua nga mbrojtja ligjore e Mediut.
Gjyqtarja Irena Gjoka vendosi që të sxeanca të shtyhet, por shtoi se mungesat e kësaj natyre të ish-ministrit nuk do të konsiderohen në seancat e radhës. Po ashtu, në këtë seancë ka qenë e pranishme edhe Zamira Durda, e cila u shpreh se ka 17 vjet që pret drejtësi, ndërsa procesi po zvarritet.
Ish-ministri i Mbrojtjes po gjykohet për dosjen “Gërdeci”, i dyshuar për “shpërdorim detyre”. Më 9 tetor 2024, GJKKO refuzoi kërkesën e Mediut për riekspertim pjesor për kostot e dëmit financiar të shkaktuar në Fabrikë. SPAK deklaron nga akti i ekspertimit financiar dalin dëmet e shkaktuara nga veprimet dhe mosveprimet e Mediut, gjë që sipas organit të akuzës provon shpërdorimin e detyrës prej tij. Këto pretendime janë kundërshtuar nga Mediu.
Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur. Sipas kërkuesve dhe SPAK, pas ndryshimeve ligjore të vitit 2012 dhe 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij dhe për rrjedhojë nuk ekziston me asnjë pengesë për hetimin dhe gjykimin e Mediut, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”./ZËRI