LEZHË- Prokuroria e Lezhës ka kërkuar për herë të dytë pushimin e hetimeve në lidhje me koncesionin për ndërtimin e 4 hidrocentraleve të vegjël në Kaçinar të Mirditës. Ky koncension kundërshtohet prej 7 vitesh nga banorët e zonës. Por vendimi i organit hetues është pritur me protestë nga banorët e zonës, të cilët ishin mbledhur para Prokurorisë. Në arsyetimin e parë, pasi ende nuk është zbardhur vendimi i plotë, gjyqtares Iva Caca i është bërë me dije nga Prokuroria se ndryshe nga kallëzimi i banorëve, nuk janë konstatuar elementë të veprës penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve”.
Për banorët, Prokuroria nuk ka kryer asnjë hetim.
Me pankarta në duar ku shkruhej: Uji asht jetë, mos na thani shpirtin!, banorët e Kaçinarit kanë kundërshtuar vendimin. Kryetari i fshatit Simon, nga Njësia Administrative Kaçinar ka dhënë një prononcim për mediat duke mos e fshehur zhgënjimin e tij për vendimin, kjo sepse sipas tij, Prokuroria nuk ka marrë asnjë masë për një kallëzim penal që lidhet me 38 firma të falsifikuara. Po sipas tij, një subjekt privat ka përfituar shtyrje të paligjshme lejeje dhe në mesin e firmëtarëve ka pasur persona që ndoshin jashtë vendit në kohën kur pretendohej se ka ndodhur nënshkrimi.
PJESË NGA FJALA E TIJ:
Prej 10 vitesh është kuptuar se pak gjëra mund t’i shtohen asaj që tha avokati Logu. Kemi bërë disa herë kërkesa dhe kemi dorëzuar disa dokumente në prokurori. Një prej dokumenteve është një kallëzim penal për 38 firma të falsifikuara, të cilat janë bërë më datë 29.05.2023 nga firma koncesionare. Në këtë dokument figuron emri Fation Hoxha dhe është përpiluar në Kaçinar. Në bazë të këtij dokumenti, firma koncesionare ka marrë një shtyrje të lejes nga Kryeministria. Kur është dhënë kjo leje, afati ishte tejkaluar me mbi 7 muaj, pra leja është dhënë jashtë çdo ligji. Deri më sot janë bërë 12 muaj nga momenti i kallëzimit penal dhe askush nuk është thirrur për shpjegim. Kallëzimi është bërë nga 6 kryetarët e fshatrave dhe nga banorët që pretendojnë se firmat e tyre janë falsifikuar. Dy nga banorët, emrat e të cilëve janë përfshirë në deklaratën e bërë gjatë dëgjesës publike, janë Nik Kola, djali i kryetarit të fshatit Shperdhazë i cili ndodhej jashtë vendit 15 ditë para se të falsifikohej firma e tij, dhe Gëzim Gjeta, i cili është prej katër vitesh jashtë shtetit. Pavarësisht gjithë kësaj, askush nuk e ka marrë mundimin të na thërrasë për të na pyetur. Për çdo dokument apo provë të falsifikimit, prokuroria ka zgjedhur ta anashkalojë procesin. Nëse duan dokumentacionin, ne e kemi të disponueshëm dhe e vëmë në dispozicion përmes rrugëve ligjore. Një tjetër problematikë ka ndodhur në Kaqinar, më datë 10 të muajit: është dhunuar një bashkëfshatar pa asnjë arsye. Më vjen keq ta them, por jam i bindur se ky veprim është nxitur nga firma koncesionare. Ai person nuk do ta bënte kurrë këtë në mënyrë të pavarur, sepse zona e Kaqinarit nuk ka shkuar të marrë tokën apo ujin në Orosh; përkundrazi, ai ka ardhur në Kaçinar. Më datë 15.04.2025, gjatë një proteste të banorëve, është ndaluar një person me makinën e tij me fenelina, dhe kur kemi dalë në protestë kemi gjetur gëzhoja armësh në vendngjarje. Shefat e komisariateve kanë qenë të pranishëm, por nuk kanë marrë asnjë masë. Zona është nën kërcënim të vazhdueshëm. Më datë 9 është qëlluar me armë nga Bukmena deri në zonën e Kaqinarit. Punimet vazhdojnë, krimet gjithashtu, dhe çdo natë dëgjohen të shtëna armësh. Nëse qëllimi është të krijohet terror në këtë formë, unë bëj thirrje që askush të mos përlyhet duke filluar nga drejtuesit e policisë. Një subjekt privat nuk mund të ruhet nga Policia e Shtetit, sepse nuk janë bandë. I bëjmë thirrje që të ndalojnë punimet, sepse janë të paligjshme.
Krah banorëve ka qenë dhe avokati por gjithashtu edhe përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Marash Logu. Avokati deklaroi se një banor i zonës është kërcënuar për tu tërhequr nga padia nga një person me precedentë në trafikun e drogës.
“Sjell dëmtim të rëndë të florës dhe faunës e zonës së mbrojtur. Në vitin 2019 banorët kanë bërë kallëzim penal në prokurorinë e Lezhës. Kanë kaluar 6 vite që banorët presin drejtësi dhe nxjerrjen para drejtësisë ligjore të gjithë zyrtarët që kanë abuzuar me këtë histori dhe personat privatë që kanë qenë të interesuar. Edhe pse gjykata e ka urdhëruar të kryejë hetimet dhe të nxjerrë personat përgjegjës vjen me kërkesë për pushimin e cështjes. Në 6 vite nuk u krye asnjë hetim, por vetëm u përpoq si të mbyllej historia duke fshehur shkeljet e rënda. Përballë interesit privat që kanë pronarët e koncesionarit janë shurdhuar dhe verbuar të gjithë zyrtarët e shtetit. Nuk dëgjon kryetari i bashkisë, ministrja e infrastrukturës, as prokurori as gjyqtari. Nuk dëgjon askush. dhe me cfarë i kanë shurdhuar dhe verbuar e dini shumë mirë. Do vijojmë të kërkojmë një hetim të plotë dhe të gjithanshëm. Të merren përgjegjësitë penale përgjegjësit. Banorët e kanë ndarë mendje se nuk do të tërhiqen as me presion, as kërcënim as kanosje as dhunë. Një javë më parë njëpunonjës i shoqërisë koncesionare dhunoi një banor në mësnyrë barbare e personi sot është i lirë. Nuk ndodh askund që një person që dhunon nëmënyrë barbare të jetë edhe i lirë. Ky person në tetor të 2022 është arrestuar për prodhim dhe shitje narkotikesh, 32 kg. Kjo duhej ti bënte institucionet të alarmoheshin por heshtin të gjithë. Vjen dikush që pretendon të ndihmojë banorët, por më pas a i bëjnëpresion apo i ofrojnë para tërhiqet. nëse janë organet e drejtësisë duhet të bëjnë drejtësi. Nëse janë organet e padrejtësisë dhe banorët të mos harxhojnë kohën kot,”- tha Logu.
Koncesioni për ndërtimin e 4 HEC-eve të vogla në zonën e Kaçinarit në Mirditë është dhënë në vitin 2018 dhe pas rinovimit të lejeve, Kompania “Shpërdhaza Energji”, e cila ka nisur punimet në terren. Më herët, për këtë çështje, banorët e Kaçinarit paditën koncesionarin dhe zyrtarët e Bashkisë Mirditë që kishin dhënë lejet në Prokurorinë e Posaçme, por kjo e fundit regjistroi procedim penal për veprat e “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve” dhe ia transferoi çështjen Prokurorisë së Lezhës./ZËRI
