Politikë

Ç’ndodhi? RAI3 tërhiqet nga pjesa e dytë e dokumentarit për Shqipërinë, pak orë pasi autori kishte konfirmuar publikimin

Në orarin që ishte parashikuar dokumentari për Shqipërinë, Rai3 transmetoi një tjetër material të përgatitur prej tyre

E.K
Ç’ndodhi? RAI3 tërhiqet nga pjesa e dytë e dokumentarit
Edi Rama dhe Sigfrido Ranucci

TIRANË- Një pjesë e mirë e medias, dhe shqiptarëve, ishin mbrëmjen e djeshme në pritje të pjesës së dytë të dokumentarit të RAI3, për Shqipërinë, pasi vetë autori i emisionit Report Sigfrido Ranucci, e kishte konfirmuar këtë edhe në rrjetet sociale. Mirëpo kjo nuk ndodhi, dhe për këtë nga ana e televizionit italian nuk ka një qëndrim zyrtar, përveçse disa komenteve në faqen e Facebook, ku Ranucci thotë se shtyrja e publikimit është bërë për shkak të negociatave që po bëhen me kryeministrin shqiptar Edi Rama, i cili kishte kërkuar që të ishte pjesë e emisionit.

“Çfarë ndodhi me pjesën e dytë të HETIMIT për Shqipërinë? A keni postuar gjatë gjithë javës që do të ketë një pjesë të dytë? Ose edhe për ju ka filluar censura.Rama 1- Report 0”, është një prej komenteve në faqen e Facebook-ut të emisionit.

“Ku është reportazhi për Shqipërinë?! Mbrëmë e gjithë Shqipëria ishte para televizorit për të parë pjesën e dytë të transmetimit. Pse nuk e transmetuat?! Po bëni shaka me një popull të tërë, të dëshpëruar për të vërtetën dhe ndihmën tuaj. Qeveria e Edi Ramës ka vjedhur para, prona dhe po thith gjakun e shqiptarëve, tashmë edhe të italianëve.

Mos kini turp që ju ka vjedhur paratë një Edi Rama!? Apo keni frikë nga Edi Rama? Duhet të jepni një shpjegim. Nuk mund të bësh shaka me një popull të tërë. Ne shqiptarët e pamë këtë çështje si një dritë shprese për lirinë tonë nga qeveria e Edi Ramës. Ju keni zhgënjyer pritshmëritë tona, besimin tonë. Turp të keni!”, thuhet në një tjetër koment në faqen e autorit të emisionit, ndërsa Ranucci ka vendosur që t’i përgjigjet:

“Ne do ta transmetojmë atë. Presim një marrëveshje për intervistën me kryeministrin Edi Rama. Miqësisht”.

Pasditen e djeshme, Ranucci kishte konfirmuar publikimin e pjesës së dytë të dokumentarit në Rai3. Teksa iu përgjigjej akuzave të kryeministres italiane Giorgia Meloni, autori i emisionit i ftonte në gjithë që të qëndronin përpara ekranit.

Prej një jave, dokumentari i publikuar të dielën e kaluar për Shqipërinë, ka shkaktuar furtunë reagimesh në rrjetet sociale, ku janë përfshirë dhe kryeministrat e dy vendeve, Edi Rama dhe Giorgia Meloni.

Rama e ka quajtur një baltosje të imazhit të Shqipërisë, ndërsa Meloni është shprehur e shqetësuar për sulmin ndaj vendin tonë, që në fakt sipas saj duhet falenderuar për ndihmën e dhënë pas marrëveshjes për emigrantët.  

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB