TIRANË- ZËRI zbardh detaje të reja nga dosja e SPAK, ku janë renditur të gjitha veprimet e marra deri në ndryshimin e ligjit për kthimin dhe kompesimin e pronave. Në dosjen e SPAK, zbulohet dhe roli i ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, si dhe grupit parlamentar të Partisë Republikane. Sipas Prokurorisë së Posaçme, ndryshimet e propozuara nga deputeti Arian Madhi, si përfaqësues i PR-së, i hapin rrugë edhe kërkesave për kthimin e pronës, kryesisht në ndryshimet që u bënë në lidhje me pronat që do të kthehen dhe me krijimin e Agjensisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si një strukturë që krijonte një varësi të theksuar me Këshillin e Ministrave dhe Kryeministrin, në të kundërt nga çfarë shfaqej deri tani për Komisionin Shtetëror të Kthimit të Pronave. Në vitin 2006, kur janë propozuar dhe ndryshimet ligjore, PR ka pasur 11 deputetë në grupin e saj parlamentar.
“Rreth 9 ditë, pasi Ministri i Mbrojtjes, shtetasi Fatmir Mediu ishte shprehur me shkresën nr 9549/3 prot datë 14.11.2005 se propozonte miratimin e privatizimit të objekteve dhe terreneve sportive të Klubit të Futbollit Partizani, Këshilli i Ministrave, merr vendimin nr 723 datë 23.11.2005, vendim ky i nënshkruar nga kryeministri Sali Berisha, për propozimin e projektligjit "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr 9235 datë 29.07.2004 "Për kthimin dhe kompensimin e pronës" të ndryshuar.
Këto ndryshime, siç do të vërehet më poshtë, i hapin rrugë edhe kërkesave për kthimin e pronës, kryesisht në ndryshimet që u bënë në lidhje me pronat që do të kthehen dhe me krijimin e Agjensisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si një strukturë që krijonte një varësi të theksuar me Këshillin e Ministrave dhe Kryeministrin, në të kundërt nga çfarë shfaqej deri tani për Komisionin Shtetëror të Kthimit të Pronave.
Ajo që konstatohet është se, rol kryesor, ka pasur në këto ndryshime, grupi parlamentar i Partisë Republikane. Megjithatë konstatohet se ky grup parlamentar, ka paraqitur propozime në lidhje me shtesa apo ndryshime, që ndryshonin edhe propozimet e tyre fillestare, disa kohë më pas, duke cituar në dokument se këto ishin pranuar nga qeveria”, thuhet mes të tjerave në dosjen e SPAK.
Ndërkohë që zbulohen dhe diskutimet që janë bërë në Komisionin për Ekonominë dhe financat në vitin 2006.
“Në lidhje me paraqitjen e propozimeve për ndryshimin e ligjit, në proces verbalin e datës 13.07.2006 në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, shtetasi Arian Madhi është shprehur:
"...Pas një procesi të gjatë bisedimesh me qeverinë, lidhur me disa përmirësime të ligjit dhe projekt ligjit të qeverisë, kemi përfunduar një marrëveshje me mirëkuptim të plotë. Materiali që keni si projekt, shpreh qëndrimin e përbashkët të qeverisë dhe PR, me përjashtim vetëm të një dispozite që ndajmë qëndrime të ndryshme të kthimit të pakufi për ne dhe qeveria deri në 100 ha tokë bujqësore..... Jemi të bindur që agjensia e kthimit dhe kompensimit të pronave, që do të varet nga qeveria, do të jetë shumë më efektive, se përgjegjësitë janë të ekzekutivit lidhur me angazhimet që ai ka dhe të mos përsërisë historinë, që për hir të qëndrimit politik, pengojnë procesin me kosto politike…”.
Edmond Spaho: "... Që në analizën që i kemi bërë Komitetit të Pronave, veprimtaria e tij është konsideruar e pakënaqshme dhe kemi qënë skeptikë, që ai s'do të ishte në gjendje të përballonte detyrat që i ngarkon ligji, se gjatë dy viteve funksionimi, rezultatet e prodhuara kanë qenë inekzistente. E konsideroj me interes kalimin e kësaj strukture si pjesë ekzekutive për të cilën ka praktika dhe ka pasur rezultate të mira..."
I pyetur më datë 17.07.2024 shtetasi Arian Madhi deklaron: "...Unë në vitin 2006 kam qenë kryetar i grupit parlamentar të Partisë Republikane. Në lidhje me propozimet e kryera nga grupi parlamentar i partisë Republikane, e cila në këtë kohë kishte si kryetar të saj shtetasin Fatmir Mediu, unë dua të sqaroj se kam qenë plotësisht i pavaruar nga Fatmir Mediu por nuk do të thotë se nuk i konsultoja nismat që merreshin me qëllim ndryshimet në ligjin e pronave. për ta sjellë atë në filozofinë dhe programin e partisë republikane...
Në lidhje me pjesën ku parashtrohet se këto propozime janë pranuar edhe nga qeveria, dua t'ju sqaroj se gjatë kohës që unë punoja me përgatitjen e propozimeve mund të kisha kontakte me përfaqësues të qeverisë, që ishin ngarkuar me çështjen e rakordimit të projekteve për çështjen e pronave. Takimet me përfaqësuesit e qeverisë nuk është e thënë që të ishin gjithmonë formale, në kuptimin e një mbledhje zyrtare, por mund të ishin takime të ndryshme që zhvillonim dhe shkëmbenim ide në ambjente të ndryshme"..
“Megjithëse vërehet se ka pasur diskutime përgjatë muajve shkurt, mars, maj, qershor 2006 në Komisionet përkatëse pranë Kuvendit, Grupi parlamentar i Partisë Republikane, nëpërmjet shtetasit Arian Madhi, në muajin qershor që ishte edhe muaji kur u procedua me ndryshimin e destinacionit nga Bashkia Tiranë, paraqet dokumentin "Propozim për amandamente" nr. 1984 datë 14.06.2006 (hyrje në Kuvend), me disa amandamente.
Në nenin 6, sipas këtij dokumenti, kërkohet shtimi i pikës 1.c. me këtë përmbajtje: Subjekteve të shpronësuara, u kthehen të gjitha pronat e paluajtshme në pronësi apo përdorim të Ministrisë së Mbrojtjes, por që janë jashtë strukturës së Forcave të Armatosura, të miratuara nga Presidenti i Republikës, si dhe tokat bujqësore të përfshira në veprimtaritë eksperimentale-shkencore të instituteve kërkimore - shkencore si dhe çdo veprimtarie tjetër të institucioneve të ndryshme shtetërore por që janë jashtë destinacionit të veprimtarisë së tyre.
Nuk ka asnjë koment në lidhje me këtë propozim, ndryshe nga pjesa dërrmuese e shtesave të propozuara.
Normalisht, lind pyetja se përse Partia Republikane, përqëndronte vëmendjen e saj në pronat e ushtrisë. Sjellim në vëmendje, se Ministër i Mbrojtjes në këtë kohë, ka qenë pikërisht shtetasi Fatmir Mediu. 74.2.1. Propozimi i mësipërm, përsëritet edhe me dokumentin "Propozim për amandamente" me nr 2316 datë 06.07.2006 (hyrje në Kuvend) grupi Parlamentar i Partisë Republikane, konkretisht shtetasi Arian Madhi”, thuhet në dosjen e SPAK.