
FIER- Interpol Tirana ka arrestuar në burgun e Fierit 36-vjeçarin nga Vlora Armand Lushaj (Jazaj). Sipas policisë arrestimi i tij u bë pasi Gjykata e Apelit të Firences e ka dënuar me 9 vjet burgim (pjesa e mbetur e dënimit, 7 vjet, 8 muaj e 4 ditë burgim), për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, e parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.
36-vjeçari dyshohet se në periudhën 2016-2018, ka trafikuar sasi të konsiderueshme kokaine dhe kanabisi, në qytetet Firence, Arezo, Brindisi dhe Rieti, Itali.
Lushaj ndodhej në burgun e Fierit, pasi Gjykata e Vlorës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje, mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Në vitin 2020, në lagjen “29 Nëntori”, Vlorë, 36-vjeçari ka tentuar të vrasë me armë zjarri pistoletë, shtetasin A. Xh., të cilin e ka lënë të plagosur. I riu u arrestua në Greqi dhe në muajin korrik të vitit 2023, u ekstradua nga Greqia për në Shqipëri. Arrestimi provizor i Lushaj u bë, me qëllim ekstradimin drejt Italisë./ZËRI