
LUSHNJË- Një 34-vjeçar është arrestuar në Lushnjë, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Sipas Policisë, ndaj 34-vjeçarit është caktuar masa e sigurisë “Arrest me burg” nga Gjykata e Milanos për për veprën penale “Pjesëmarrja në grup kriminal, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.
Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për ekstradimin e tij në Itali.
“Si rezultat i aksioneve intensive të Policisë, të kryera me qëllim kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore mbi vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Transportuesi”.
Gjatë operacionit, u lokalizua, u kap dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar K. M., 34 vjeç, banues në Lushnjë.
Gjykata e Milanos i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë "Arrest me burg", për veprën penale "Pjesëmarrja në grup kriminal, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike", parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.
34-vjeçari kishte rolin e transportuesit të lëndëve narkotike për llogari të grupeve kriminale.
Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali”, njofton Policia. /ZËRI