
SHKODËR-Detaje të reja janë zbardhur nga aksioni i "urdhëruar" nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në qytetin e Shkodrës. Gazetarja Anila Hoxha raporton se RENEA ka kryer kontrolle edhe në banesën e Izmir Sakicës.
Izmir Sakica është një nga personat e shpallur në kërkim për masakrën e ndodhur në Dobraç ku mbetën të vdekur katër persona. Gjatë kontrollit nuk është gjetur asgjë, ndërsa është shoqëruar në polici babai i tij, për t’u marrë në pyetje e për t’u lënë më pas i lirë.
Kontrolle janë kryer edhe në banesën e Safet Bajrit. Atje janë gjetur rreth 20 mijë euro dhe disa mjete të blinduara që janë sekuestruar. Paratë i janë gjetur në një arkë kursimi të të bijës. Në disa banesa të tjera janë gjetur edhe armë zjarri, të cilat do të dërgohen për ekspertizë për të kuptuar nëse janë përdorur në ngjarje kriminale të mëparshme.
Edhe pse ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga SPAK, prokurorja Elida Kaçkini që ka lëshuar 5 urdhër arreste, por deri më tani nuk është ekzekutuar asnjë prej tyre. Disa persona janë shoqëruar dhe janë marrë në pyetje, por më pas janë lënë të lirë. Mes tyre, ishte dhe Safet Bajri./ZËRI