
TIRANË- Ai është 43 vjeç dhe për dy million lekë që ka marrë në një prej institucioneve mikrofinanciare rrezikon të humbasë gjithçka. Sot jeton me frikën se nëse do të bëjë ndonjë investim, qoftë blerja e një makine apo e një shtëpie, do të mund t’i sekuestrohet për shkak të kredisë së prapambetur. Qytetari i radhës rrëfen për ZËRIN se është financuar dy milionë lekë të vjetra dhe për shkak të largimit të tij drejt Gjermanisë, nuk ka paguar dot asnjë këst. Kthimi i tij në atdhe është shoqëruar me telefonata kërcënuese që nuk i tregojnë as emrin dhe as adresën, por vetëm kërkojnë derdhjen e parave. Madje, zotëria në fjalë tregon se është kërcënuar që për këtë detyrim mund të përfundojë në burg apo dhe me faktin që çdo investim që mund të bëjë në jetën e tij, do të mund t’i vihet në sekuestro. I ndjerë në presion, qytetari thotë se çështja mund të shkojë në vetëgjyqësi, por shtëpinë nuk do t’ua dorëzonte kurrë.
Intervista:
Mosha ime është 43 vjeç. Jam i papunë dhe zanati im është kuzhinier.
Si ka lindur çështja e kredisë që ke aktualisht pa paguar?
E kam marrë për të ikur në Gjermani sepse kisha ndarjen e nuses. Edhe më duheshin. Më morën në telefon, të ka dalë oferta për 2 milion lekë, të urdhërosh të vish ta marrësh. Ngaqë unë kisha marrë mbi 10 herë tek këta kredi, isha i rregullt, më kanë ngrënë edhe shumë lekë. Kështu ka ndodhur.
Për çfarë afati i more?
Për një vit i kam marrë.
Dhe sa lekë duhet të paguaje çdo muaj?
Mbi 380 mijë lekë afërsisht.
Ti nuk ke paguar asnjë këst?
Asnjë lekë.
Pas sa kohësh të kanë kontaktuar ata për të të kërkuar këstin?
Pas tre muajsh.
Dhe çfarë të kanë thënë?
Duhet të paraqitesh se përndryshe do kesh ndjekje penale. Dhe unë i kam thënë që nuk keni shanse. Po të dua unë ua jap, po të mos dua, nuk ua jap. Kështu ka qenë muhabeti, edhe më kanë kërcënuar. Perëndia të vijë nuk i ha kërcënimet.
Si të kanë kërcënuar konkretisht?
Nëqoftëse ti nuk paguan, do të të sekuestrojmë çfarë mund të marrësh ti. Edhe nëqostëse ti nuk vjen të paguash prapë këstin, dije se do kesh probleme me shtetin. Që mundet të të fusnim në burg.
Ti je interesuar me ndonjë avokat?
S’kam as lekë ta ndjek.
Po më pas, ke pasur bisedë tjetër me zyrën në fjalë?
Po, katër herë kam pasur. Në fillim fare prezantohen mirë, pastaj kur i kthehesh për diçka…se unë i kam thënë ju vetë më detyruat, hajde merr dy million lekë. Unë erdha i mora. Tani kur s’kam, s’kam. Këtë e kanë marrë parasysh, që unë s’kam as shtëpi, as punë, asgjë, as katandi? Si kamundësi këta që të jepkan kredi 2 milion lekë direkt, kur unë s’kam të ardhura? Shtëpi s’i kam lënë, pronë s’i kam lënë, makinë s’i kam lënë. Si kamundësi këta të më sekuestrojnë mua, përshembull të kem unë një makinë, s’ka shanse të ma sekuestrojnë mua makinën, ose shtëpinë.
Janë studio ligjore? Të ka thënë emër mbiemër personi që të ka telefonuar? Të është prezantuar?
Është prezantuar si punonjëse, por zyrën s’ma ka thënë.
Çfarë të thonë kur ti u kërkon një adresë?
Nxjerrin shumë pretekse. Me pak fjalë është një hajdutllëk.
Ti e ke idenë sa ka shkuar detyrimi yt?
Mund të shkojë 6 (milion lekë të vjetra).
Biseda e fundit që ke bërë me ta kur ka qenë?
Mars ka qenë, para një viti. Kanë bërë presionin. Unë u kam thënë për çfarë më merr në telefon kur jam pa shtëpi, pa katandi.
Çfarë bën aktualisht për të jetuar, si ia del?
Paguaj qiranë e shtëpisë, kam detyrë t’i çoj fëmijës tim për të ngrënë. Kam dhe një baba që duhet të kujdesem për babain. Përkrahje s’marr, gjë s’marr, asgjë s’marr nga shteti.
Ke ndonjë apel?
Faktikisht unë jam i zoti i vetes. Për mua është të mbyllen këto. Po të mbyllen këto, të gjithë jemi në rregull. S’jam vetëm unë, është 70% e Shqipërisë që ka marrë. Kosova i ka mbyllur, vetëm Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë, që janë më të korruptuarat. Dua që të mos më bezdisin, edhe me shtet të vijnë, nuk kanë për t’i marrë lekët nga mua, gjallë në botë. Këta janë gjakpirësa, t’i hedhësh në erë si zyra. Nesër mund të blej shtëpi, këta mund të vijnë në shtëpi. Këta po erdhën në shtëpi, dije se do të bëhet hataja.
Si do të veproje nëse do të vinin të të merrnin pronën?
Do të kisha ndonjë gjë për t’i vrarë dhe kaq. Se shtëpinë time nuk e merr dot për dy milionë lekë.
Ndërkohë që denoncimet shtohen në redaksinë e ZËRIT, nga ana e Bankës së Shqipërisë nuk ka asnjë reagim. Asnjë nga viktimat e skemës së mikrokredive nuk dinë ku të drejtohen. Dy nga qytetarët që kanë rrëfyer historitë e tyre në redaksinë e ZËRIT, janë drejtuar në zyrat e Bankës së Shqipërisë për të plotësuar formularimin e ankimimit, por nuk u është dhënë zgjidhja.
Përfundimi: Thirrja e Bankës së Shqipërisë është një blof i madh, nuk ka asnjë zgjidhje për këta qytetarë!
Të vetmet lëvizje që po shohim deri tani janë ato nga Prokuroria e Tiranës, masa sigurie, qofshin këto ‘arrest me burg’ dhe ‘arrest shtëpie’ apo sekuestrim të llogarive bankare që janë në emër të administratorëve të institucioneve mikrofinanciare apo përmbaruesish privatë. por, për viktimat e vërteta të kësaj skeme, deri më tani nuk ka asnjë zgjidhje, ka mesazhe boshe nga institucionet që duhet të kishin marrë masa paraprake për këtë skemë piramidale si dhe orientime rëndim të situatës së tyre financiare. Dosjet të ndryshme përcillën nga Ministria e Drejtësisë tek Prokuroria, ndërsa Banka e Shqipërisë ‘hedh topin’ kudo, vetëm përgjegjësi nuk mban!
Por çfarë është ky skandal për të cilin flitet pak?
Prej 6 muajsh, ZËRI denoncon dhe grumbullon dëshmi të viktimave që ranë pre e njoftimeve grackë për të marrë kredi në zyra mikrokredie. Këto zyra përmes njoftimeve online dhe në televizione, krijuan një perceptim të gabuar te qytetarët se ishin njësoj si bankat e tjera. Në fakt, në realitet këto zyra japin kredi shpejt dhe me norma përtej normales. Pa asnjë filtër, Kredo, Iutecredit apo Fondi Besa, iu japin qytetarëve mikrokredi në situata që ata nuk munden dot kurrsesi ti paguajnë. Këtu nisi dhe kalvari i abuzimeve. Kreditë e këqija të mikrokredive përfshirë dhe ato të bankave iu shitën MCR, ku në një rast, vetë gruaja e guvernatorit Gent Sejko, në postin e drejtoreshës së Tirana Bank, shiti 5 mijë kredi me një të rënë të lapsit te dyshja Olsi dhe Elda Ibro, të cilët me licencën e dhuruar nga Guvernatori nisën presionet dhe shantazhet mbi viktimat për të mbledhur paratë. Bashkë me ta, në treg janë dhe qindra zyra ligjore që ushtrojnë presion për mbledhjen e parave duke shkelur haptaz ligjin për njoftimin, kamatvonesat apo kalimin e çështjes në gjykatë. Tashmë çështja është në duart e SPAK dhe kutia e "Pandorës" pritet të hapet. Kush i lejoi, për kë punuan këta agjentë mikrokredie dhe ku abuzuan ata, këto janë disa nga pyetjet që shtrohen sot? SPAK duhet ti japë një përgjigje!/ZËRI