
TIRANË- Një vatër e re e gripit të shpendëve është identifikuar në Zall-Herr të Tiranës. Lajmi është bërë me dije nga Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve. Vatra është zbuluar në një fermë oborri familjar me pula dhe gjela deti dhe nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë bën me dije se ka marrë masa për kontrollin efikas dhe të menjëhershëm të situatës në terren.
Po vijojnë procedurat për çrrënjosjen e infeksionit dhe zona ku është zbuluar vatra është karantinuar për izolimin dhe parandalimin e përhapjes së infeksionit.
Njoftimi:
Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve në kuadër të transparencës dhe të informimit të publikut, menjëherë pas marrjes së konfirmimit nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë mbrëmjen e ditës së djeshme, për prezencën e sëmundjes së Influencës Aviare me patogjenitet të lartë (H5N1) në një vatër të identifikuar si fermë oborri familjar me pula dhe gjela deti ka marrë masa për kontrollin efikas dhe të menjëhershëm të situatës në terren.
Mëngjesin e datës 28.12.2024 përfaqësues të AKVMB inspektuan nga afër vatrën e identifikuar si pozitive, në Fshatin Cekrez Morinë Njësia Administrative Zall-Herr, Tiranë.
Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka marrë të gjitha masat për eleminimin me qëllim çrrënjosjen e infeksionit, si dhe ka karantinuar vatrën dhe zonat e mbrojtjes dhe mbikqyrjes, për izolimin dhe parandalimin e përhapjes së infeksionit.
Për cdo rast dyshimi, kërkohet komunikimi i menjëhershëm me shërbimin veterinar rajonal, mos-manipulimi me shpendët e dyshuar, si dhe për efekt kohe kontakti me AKVMB në numrin e gjelbër 08003366, ose në adresën e e-mail: [email protected].