Aktualitet

Sherri i biznesmenëve/ Rrethuan “Regina”-n e Vasil Bedinajt, kush janë 10 'ushtarët' e Luan Muçës (EMRAT)

Mes tyre është edhe Bujar Muca, vëllai i pronarit të 'Delta', i cili ka qenë prezent në konfliktin e armatosur.

zh.ll
Sherri i biznesmenëve/ Rrethuan “Regina”-n e Vasil Bedinajt,
Vasil Bedinaj dhe Bujar Muça

TIRANË- Janë zbardhur emrat e 10 personave të shpallur në kërkim, të dyshuar për përfshirje në konfliktin mes pronarit të 'Delta Group', Luan Muca, dhe biznesmenit Vasil Bedinaj, pronar i rrjetit të hoteleve 'Regina'. Mes tyre është edhe Bujar Muca, vëllai i pronarit të 'Delta', i cili ka qenë prezent në konfliktin e armatosur.

Të shpallurit në kërkim janë: Bujar Muca, Edison Zalla, Serxhio Cani, Rei Degjoni, Renato Kodra, Klej Doci, Arjan Doda, Marjos Ramosacoj, Altin Grori (efektiv i Policisë Ushtarake) dhe Fatjon Maknori (efektiv i Policisë Ushtarake).

Menjëherë pas ngjarjes, Luan Muça dhe dy vëllezërit Mandrit e Klaudio Lleshaj, të cilët dyshohet se e shoqëronin biznesmenin, janë arrestuar nën dyshimet për gjobëvënie. Fillimisht ata janë shoqëruar në spital për ndihmë mjekësore, pasi gjatë ndjekjes nga policia, pësuan aksidentit me automjetin me të cilin udhëtonin.

Gjithashtu, në pranga ka përfunduar Blerim Heta dhe Angjelo Breshani, shoferi i Vasil Bedinajt. Ky i fundit, dyshohet se ka qëlluar me armë në drejtim të grupit të Mucës teksa po largoheshin nga resorti “Regina”.

Sa i përket shkakut të konfliktit, para hetuesve dy biznesmenët kanë dhënë versione të ndryshme. Biznesmeni Vasil Bedinaj i ka qëndruar versionit të parë, duke deklaruar se Muça i ka vendosur gjobë 5 milionë euro dhe i ka dhënë afat 48 orë që të zhduket nga Shqipëria. Ndërkohë Luan Muça ka deklaruar se “nuk kam vendosur gjobë”, duke pretenduar se konflikti me Bedinajn lidhet me një çështje pronësie. ZËRI raportoi se shkak i konfliktit dyshohet se është bërë një tokë në Palasë, për të cilën të dyja palët pretendojnë të drejta pronësie. 

Por çfaër ndodhi në Radhimë? Dinamika e ngjarjes

Paraditen e 3 shtatorit, rreth orës 11:30, në Hotel Regina, në pronësi të Vasil Bedinajt, shkuan 8 makina me 18 persona, mes tyre edhe dy vëllezërit Muça dhe truprojat e tyre të Sëat Security. Burime i thanë ZËRI, se ata ishin thirrur për sqarim nga Vasil Bedinaj. Ky i fundit ishte me personazhe të tjerë të botës së krimit, mes tyre edhe ish policë. Pasi kanë shkuar për të diskutuar, situata është tensionuar për shkak të një mosmarrëveshje në lidhje me një tokë në Dhërmi, siç raportoi edhe ZËRI. Me të dalë jashtë situata u agravua ku janë përdorur edhe armët. Ndërkohë vijon hetimi për të saktësuar dinamikën dhe personat e përfshirë./ZËRI

Poll

MOS HUMB