Aktualitet

Nënë e bijë u gjetën të vdekura në banesë! Djali i familjes tregon bisedën e fundit me të motrën

Vajza Ornela Vangjeli e kishte dërguar në spital të ëmën, por nuk e ka lënë atje për kurim. Ajo e mori në shtëpi nënën e saj.

D.XH
Nënë e bijë u gjetën të vdekura në banesë!
Eleni dhe Ornela Vangjeli

KORÇË – Një ngjarje e rëndë u regjistrua në Korçë gjatë ditës së djeshme, teksa Eleni Vangjeli 75 vjeçe dhe vajza e saj, Ornela 54 vjeçe u gjetën të vdekur brenda banesës së tyre në lagjen 17 të qytetit të Korçës.

Djali i familjes sapo ishte kthyer nga Greqia dhe ka gjetur të vdekura në banesë nënën dhe motrën, pasi forcat zjarrfikëse hapën derën, e cila ishte kyçur nga brenda. Djali i familjes Vangjeli tha jashtë kamerave se ditën e shtunë kishte biseduar me të motrën. Po atë ditë, motra i ka thënë se kishte dërguar në spital nënën, e cila ishte ankuar se kishte oksigjen të ulët. Në spital i kanë thënë që ta shtrojnë të moshuarën, por vajza Ornela nuk ka pranuar. Ajo dhe nëna janë kthyer në banesë dhe më tej nuk dihet se çfarë ka ndodhur.

Dyshimet e para të hestuesve janë se të dyja kanë ndërruar jetë që nga dita e diel, kur kanë humbur kontaktet edhe me familjarët. Vajza mund të ketë pësuar atak, ndërsa nëna ka vdekur pas saj, në pamundësi për të lëvizur. Kjo, edhe për shkak të mungesës së ilaçeve në banesë. Vajza Ornela Vangjeli ishte me profesion mësuese në Vithkuq, ndërsa vëllai ka ardhur nga Greqia dhe i ka gjetur pa shenja jete.

“Më datë 01.02.2024, rreth orës 16:42, në lagjen nr. 17, Korçë, në banesë, janë gjetur pa jetë, pa shenja dhune shtetaset E. V., 75 vjeçe dhe vajza e saj O. V., 54 vjeçe. Nga të dhënat e para, rezulton se këto shtetase nuk ju ishin përgjigjur në telefon familjarëve të tyre, prej disa ditësh. Dera e banesës së tyre është hapur nga shërbimet e zjarrfikësve, pasi ishte e kyçur nga brenda. Paraprakisht dyshohet se këto dy shtetase mund të kenë humbur jetë për shkaqe natyrale. Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkaqeve të humbjes së jetës së këtyre shtetaseve dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njoftoi policia.

Gjatë ditës së djeshme, nënë e bijë janë gjetur të vdekura në banesë në lagjen 17 të qytetit të Korçës. Dyshimet janë se fillimisht vajza Ornela ka pësuar atak kardiak, ndërsa nëna ka vdekur, pasi ka shkuar tek e bija. /ZËRI/

Poll

MOS HUMB