
ITALI- Dy binjakë shqiptarë janë arrestuar mbrëmjen e djeshme në Itali pasi akuzohen për tentativë grabitje dhe sulm ndaj pronarit të një qebabtoreje. Para gjyqtarit dhe avokatit të tyre, dy 18-vjeçarët u shprehën se nuk kishin bërë asgjë të keqe dhe fajësuan të arrestuarin e tretë, 17-vjeçarin italian, i cili e kaloi mbrëmjen me ta në një festë ditëlindjeje.
Sipas mediave italiane, shqiptarët kanë treguar se pasi kishin pirë, të tre, së bashku me disa djem të tjerë dhe një vajzë u futën në një qebaptore. Dy shqiptarët treguan se i pari që ka hyrë ka qenë 17-vjeçari, i cili ka nisur të debatojë me pronarin, pasi ky i fundit nuk e la që të shkonte në tualet. Tonet mes tyre u shtuan pasi pronari i dyqanit kishte kapur të miturin nga krahu. Si kundërreagim, i mituri e qëlloi me grusht në fytyrë.
"E ka lënduar me unazën e gishtit, asnjë nga ne nuk kishte thikë,"-treguan shqiptarët, të paidentifikuar me emër.
Pas ngjarjes, të tre u arrestuan por binjakët shqiptarë thanë se nuk e prisnin arrestimin. Para ligjit, ata betohen se nuk ishin ata që ngritën dorë mbi pronarin. Ndërsa për gjyqtarin provat janë të rënda dhe hetimi është ende në vijim. Sa i përket avokatit të shqiptarëve, ai thotë se brenda në lokal skena nuk është filmuar, ndaj shton se ngjarja është e paqartë./ZËRI