Aktualitet

Nis sot shpërndarja e bonusit të fundvitit për pensionistët, sa përfitojnë secila kategori

Rreth 750 mijë pensionistë në të gjithë vendin mund të tërheqin bonusin e fundvitit pranë pikave të postës gjatë gjithë muajit dhjetor, ndërsa për ata që e kanë të pamundur gjatë kësaj periudhe, afati për tërheqje është deri më 30 qershor 2026.

zh.ll
Nis sot shpërndarja e bonusit të fundvitit për pensionistët,
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË- Nga sot, 1 dhjetor, pensionistët do të mund të tërheqin bonusin e fundvitit. Edhe pse është ditë pushimi zyrtar, zyrat e postës do të jenë të hapura në mënyrë që pensionistët mund të tërheqin shpërblimet. Rreth 750 mijë pensionistë në të gjithë vendin mund të tërheqin bonusin e fundvitit pranë pikave të postës gjatë gjithë muajit dhjetor, ndërsa për ata që e kanë të pamundur gjatë kësaj periudhe, afati për tërheqje është deri më 30 qershor 2026.

Siç u bë me dije edhe me miratimin e Këshillit të Ministrave, bonusi prej 15,000 lekësh shkon për pensionistët me pension deri në 20,000 lekë dhe disa kategori të tjera përfituesish, përfshirë pensionet e pleqërisë, invaliditetit, pensionet familjare, pensionet sociale, si dhe personat që trajtohen vetëm me përfitime të veçanta financiare sipas legjislacionit në fuqi.

Bonusi prej 10,000 lekë shkon për pensionistët me pension mbi 20,000 lekë dhe përfitues të trajtimeve të veçanta, pëfshirë pensionet e pleqërisë, trajtimet e veçanta financiare sipas ligjeve specifike, pensionet suplementare për funksione kushtetuese dhe përfituesit e pensioneve të vështirësisë së profesionit me masë mbi 20 000 lekë.

Qeveria ka parashikuar që prej muajit janar 2026, do të ketë rritje mujore për pensionet. Rritja do të dyfishohet në janar 2027, do të trefishohet në janar 2028, do të katërfishohet në janar 2029, e do të pesëfishohet në janar 2030. Jo vetëm pensionet, rritje do të ketë edhe për pagën minimale deri në 500 euro, si në sektorin publik edhe në privat./ZËRI

Poll

MOS HUMB