Aktualitet

“Nuk gjejmë dot staf të aftë”, Olsian Çela raporton në Kuvend: Kush është qarku me kriminalitetin më të lartë

Teksa raportoi para deputetëve, kreu i Prokurorisë së Përgjithshme Olsian Çela renditi një sërë çështjesh që lidhen me kriminalitetin në vend

E.K
“Nuk gjejmë dot staf të aftë”, Olsian Çela
Olsian Cela

TIRANË- Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela, ka raportuar sot në Komisionin e Ligjeve, në lidhje me raportin për kriminalitetin në vend, ku tha se nuk është e nevojshme krijimi i një kodi të ri penal.

“Nga lindi nevoja për një kod të ri penal? Të jepen argumente nga kushdo që ka nevojë. Çfarë kërkojmë me një kod të ri penal? Duhet një debat i madh publik. Duhet të diskutohen se si do të jenë raportet me ashpërsimin apo lehtësimin me disa masa penale. Do jetë kod që do ketë fleksibilitet për masa alternative? Cilat do jenë modelet? Nuk kam informacion se kodi penal aktual po krijon vështirësi në funksionimin e shtetit, shoqërisë. Atëherë do bëjmë kod nga asgjëja? Pa asnjë bazë? 38% e prokurorëve i mungojnë sistemit. Thelbi që kemi është për çështjet që lidhen me procedurën penale”, tha Çela.

“Kemi nevojë të shohim se çfarë nuk shkon me procedurën penale. Duhet nga ana juaj të dëgjohen propozimet tona për procedurën penale. Nuk ka dalë askush i pandëshkuar falë Kodit Penal”, vijoi Çela.

Ai tha se “në diskutimet për Kodin Penal duhet parë dhe si do trajtohen veprat penale të narkotikëve, apo drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit. Kemi tendencë të kriminalizojmë shoqërinë me masa represive. Duhet të identifikojmë problemet, 10, 20 etj., dhe meriton debat të madh shoqëror, publik. S’duhet polarizuar debati, pasi instinkti i parë është për të qenë represiv, që cenon marrëdhëniet mes individëve. Ka mënyra të tjera, problem sot mbetet funksionimi i të gjitha strukturave shtetërore të drejtësisë penale”.

Kryeprokurori Çela theksoi më tej se është i nevojshëm edhe ndryshimi i ligjit për sistemin e vlerësimit të prokurorëve në Shqipëri, ndërsa shtoi se institucioni has vështitëri në gjetjen e stafeve të afta.

'Ne mund të kishim një prokurori në çdo qytet, por ne s'po arrijmë të gjejmë staf të aftë ndhmës në shërbim të punës. Duhet gjetur një balancë mes afërsisë dhe shërbimit cilësor, fakti që kemi prokurori më të mëdha, ka shpërndarje më të drejtë të punës dhe i jep një vlerë plus qytetarëve, padyshim që qytetarëve i rriten kostot, por ka një shërbim më të mirë në drejtim të tyre', u shpreh Çela.

Ai foli edhe për Hartën e re Gjyqësore, duke thënë se Prokuroria e Përgjithshme mori të gjitha masat e nevojshme administrative që zbatimi të ishte i suksesshëm. 

“Gjatë kësaj faze është u koordinua dhe bashkëpunua me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Ministrinë e Drejtësisë. Çështja kryesore që mbetet të zgjidhet në kuadër të hartës së re gjyqësore lidhet me infrastrukturën. Nga ana jonë janë planifikuar disa masa që për realizimin e tyre kërkojnë angazhim ndërinstitucional. Ka përfunduar detyra e projektimit nga Bashkia Tiranë në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Prokurorinë Tiranë, për ndërtimin e një godine të re akomodimi për të gjitha institucionet e sipërcituara”, tha Prokurori i Përgjithshëm.

Sa i përkeq qarkut me nivelin më të lartë të kriminalitetit në vend, kryeprokurori përmendi Vlorën, ndërsa me kriminalitetin më të ulët është renditur qarku i Dibrës.

“Përgjatë vitit 2023, në të gjitha nivelet e Prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm janë krijuar sërish vakanca të përkohshme dhe të përhershme të 38% të prokurorëve, si pasojë e procesit të vlerësimit kalimtar. Megjithatë, me gjithë problemet me mungesat e theksuara në organikë, prokurorët kanë ushtruar me përgjegjshmëri kompetencat bazuar në kuadrin ligjor.

Koeficienti i kriminalitetit për procedimet penale të regjistruara për 100 mijë banorë gjatë 2023, është 872. Ndërsa në 2022 ka qenë 920, pra kemi një ulje sa i përket këtij treguesi. Në vitin 2022, përqindjen më të ulët të kriminaliteti për 100 mijë banorë e ka qarku Dibër, ndërsa më të lartë qarku Vlorë.

Sa i përket veprave penale në fushën e lëndëve narkotike, në vitin 2023 ka një rritje të numrit të procedimeve krahasuar me vitin 2022. Numri më i lartë është në qarkun Tiranë, më pas vjen Lezha, Fieri etj, ndërsa numri më i vogël është qarku Sarandë dhe Gjirokastër.

Përsa i përket veprës penale të “dhunës në familje” për vitin 2023 janë regjistruar 1396 procedime penale, me 1078 të pandehur, me një ulje prej 3.92 për qind të procedimeve krahasuar me vitin 2022. Efektiviteti i ndjekjes penale dhe numri i çështjeve të dërguara në gjyq është i lartë. 89.04 për qind e kërkesave për masë sigurimi me arrest është tregues në rritje krahasuar me vitin 2022.

Veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike përbëjnë numrin më të lartë të procedimeve penale të regjistruara me 31.7%. Në vitin 2023 vihet re një tendencë ashpërsimi në aplikimin e masave të sigurimit", tha ndër të tjera kryeprokurori Çela.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB