
DEVOLL- Deizi Arapi, 28-vjeçarja nga Bilishti e njohur për konflikte të vazhdueshme duket se nuk qëndron dot larg telasheve. Edhe njëherë ajo është përfshirë në tjetër konflikt. Policia e Shtetit njofton se e reja dhe një 22-vjeçar janë konfliktuar për motive të dobëta dhe më pas i kanë dëmtuar makinat njëri tjetrit.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Devoll referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit Xh. N., 22 vjeç dhe D. A., 28 vjeçe, të dy banues në Bilisht, sepse pas një konflikti për motive të dobëta, ndërmjet tyre, i kanë dëmtuar njëri-tjetrit, automjetet,”- njofton Policia.
Kjo nuk është hera e parë që Deizi ka pasur probleme me "shtetin". E reja, njihej nga Policia e Shtetit për prishje të qetësisë publike, mori "famë" pasi hodhi dyshime se ish-kryebashkiaku i Devollit, Bledion Nallbati i kishte djegur makinën. Po ashtu, një tjetër mjet i ishte djegur edhe në vitin 2018, pasi ka pasur konflikte me persona të ndryshëm. Edhe së fundmi, duket se pasojat për përplasjet e saj i "vuajnë" mjetet me të cilat ajo lëviz. Aktualisht, 28-vjeçarja ka nisur një tjetër sherr me një person. Por nuk dihet sesi ka nisur përplasja dhe nëse kjo ngjarje ka lidhje me ndonjë nga të lartpërmendurat./ZËRI