
TIRANË- Princ Dobroshi nga Peja, i njohur me nofkën “Peshkaqeni” dhe si bosi i mafias shqiptare të drogës, i kërkuar nga disa shtete europiane dhe i dënuar nga Gjermania me 15 vite burg, prej 1 jave ndodhet në burgjet shqiptare.
Dobroshi është vënë në pranga mbrëmjen e 22-nëntorit në Tiranë dhe është lënë në masën e sigurisë 40 ditë paraburgim, por nga ana e autoriteteve nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar.
Por kush është Princ Dobroshi?
Në vitin 1988, kur ishte vetëm 24 vjeç u largua nga Kosova drejt Gjermanisë, ku nisi të merrej me biznesin e lojërave të fatit. Me pas, ai u shpërngul në Norvegji kur e zgjeroi aktivitetin e kazinove. Por, jeta e tij mori kthesë kur në vitin 1993 u arrestua nga policia norvegjeze dhe u akuzua për trafik droge.
Në vitin 1994, autoritetet norvegjeze e dënuan me 14 vite burgim, por tre vite më vonë, në vitin 1997, u arratis nga burgu pasi korruptoi gardianët. Kjo ishte dhe ngjarja që bëri që shqiptari nga Kosova të pushtonte mediat norvegjeze që i vunë dhe nofkën “Peshkaqeni” i heroinës.
Në vitin 1999, Dobroshi u arrestua nga autoritetet policore çeke në Pragë, në kuadër të operacionit “Kafaz”, duke e rikthyer në qeli, ku qëndroi deri në vitin 2005.
Pasi kreu dënimin, Princ Dobroshi u përcoll nga autoritetet norvegjeze nën masa të rrepta sigurie për në Kosovë, ku iu rikthye biznesit të lojërave të fatit.
Ai vazhdimisht mohonte të kishte të bënte me trafikun e drogës. Madje, në një rrëfim për mediat në Kosovë, ka rrëfyer se heroinën në makinë ia kishin vendosur për ta futur në kurth.
“Giuseppe, një miku im, më tha nëse mund t’ia dërgoja 130 mijë marka. Kur jam afruar afër veturës për t’ia dhënë paratë njerëzve të tij, është shfaqur policia. Në makinën që më priste mua ishin 5.4 kilogram heroine. Rasti shkoi në gjykatë ku u dënuam,”- tregonte ai.
Ndiqni materialin e përgatitur nga ZËRI: