
FIER- Të afërmit e Suela Saliajt, e cila u vra nga burri i saj në SHBA, kanë dhënë detaje nga marrëdhënia mes çiftit, e cila në vitet e fundit kishte qenë e tensionuar.
Banorë dhe të afërm në fshatin Graçan të Mallakastrës, kanë folur për familjen Saliaj, që sipas tyre prej afro 20 vitesh kanë emigruar drejt SHBA-së. Shkak për konfliktin dyshohet se është bërë refuzimi i Renato Muhajt për t’u ndarë, dhe konflikti për kujdestarinë e vajzës.
“Vajzë shumë e mirë, familje nga më të mirat. E morëm vesh nëpërmjet vajzës, ka mbi 15 vite në Amerikë, nuk e njoh djalin, thonë që është nga Mallakastra, sipas të dhënave ai donte që t’i merrte vajzën, ata kishin një ose dy vite të ndarë, po këta femrën e konsiderojnë si plaçkë tregu, shitet e blihet sipas qejfit të tyre, por nuk është ashtu në të vërtetë”,- tha për TCH, një prej fqinjve të familjes në fshatin e lindjes.
"Një familje shumë e mirë dhe kur e dëgjuam lajmin, u befasuam. Ka qenë një vajzë shumë e mirë, jam rritur me të atin e vajzës. Ata ishin të ndarë në Amerikë, më tej nuk di, vetëm se flasim kot. Këtej thanë se ai është nga Mallakastra, fshati i Gjerë, se si është e vërteta ne nuk e dimë, po vajza ishte shumë e mirë sepse luante me fëmijët tanë. Ata kanë 15 vjet që kanë ikur,"-tha një tjetër banor.
“I ati i çupës ka qenë infermier ata ikën dhe rrinin në Fier”, tha një fqinje.
“I ati ka qenë infermier, ka punuar dy tre vjet në fshatin tonë, pas kësaj ka ikur në Fier ka punuar në Fier, pasi punoi atje i doli llotaria amerikane, kanë gati 20 vite, 15-20 këtu vërtitet”, tha një tjetër.
Suela Saliaj u vra nga bashkëshorti i saj Renato Muhaj, me të cilin duket se kanë qenë drejt ndarjes, ndërsa policia në Florida u tregua tejet e rezervuar në dhënien e informacioneve për konfliktin në familje./ZËRI