
PRISHTINË – Opozita e Kosovës, PDK, LDK dhe AKK janë bërë bashkë dhe kanë propozuar që të votohet në parlament një rezolutë, e cila parasheh disa pika, për të mbrojtur efektivët e Policisë së Kosovës, gjatë punës së tyre të përditshme.
Por, Vetëvendosje nuk pranon të votojë Rezolutën për Policinë e Kosovës, e propozuar nga opozita, duke argumentuar se nisma ka si qëllim vetëm përfitimin politik. Pas kësaj, kanë reaguar deputetët e opozitës, të cilët kanë kryer dhe një veprim domethënës.
Deputetët opozitarë kanë vendosur nga një fletë në secilën karrige të deputetëve në maxhorancë, ku shkruhet: “E harruat Policinë”.

Por, çfarë parashikon Rezoluta për Policinë e Kosovës?
Rezoluta për Policinë e Kosovës, propozuar nga partitë opozitare, PDK, LDK dhe AKK, obligon qeverinë, që t’i paguajë Policisë, pagë shtesë, për rrezikshmërinë e punës.
Po ashtu Rezoluta, parasheh, që Policëve të Kosovës, t’ju paguhet sigurimi shëndetësor, si dhe të ketë pensionim të parakohshëm për zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe për punonjësit e Inspektoratit.
“Rezoluta obligon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të propozoj buxhetin e nevojshëm – për vitin e ri fiskal 2024, për mbulimin e pagesës së sigurimit shëndetësor për të gjithë zyrtarët policorë të Republikës së Kosovës, nga data 1 janar 2024.
Gjithashtu, obligon Qeverinë e Republikës së Kosovës që brenda afatit 60 ditor nga miratimi i kësaj rezolute, të marrë nismën për hartimin, propozimin dhe miratimin e Projektligjit për Pensionin të Parakohshëm të zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës dhe punonjësit e Inspektoratit”, thuhet në Rezolutë./Zëri.ai/