
KOSOVË- Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka kërkuar këtë të hënë që Serbia të sanksionohet nga Bashkimi Europian pas sulmit terrorist të një dite më parë ndaj Policisë së Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Gjatë takimit me të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, Osmani e ka cilësuar sulmin si veprim terrorist dhe akt agresioni.
“Veprimet e tilla përbëjnë cënim të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe për këto veprime duhet sanksionuar Serbinë”, tha Osmani sipas një njoftimi për media nga Presidenca.
Osmani shtoi se veprimet e Policisë në veri janë legjitime dhe janë në kuadër të “realizimit të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim”.
Sarrazin është takuar gjatë kësaj të hëne edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, një ditë pas ngjarjeve në veri. Kreu i qeverisë së Kosovës e ka informuar atë për veprimet që po merr Kosova pas ngjarjeve të së dielës.
“Emisari Sarrazin shprehu ngushëllimet e tij për familjen e të ndjerit dhe popullin e Kosovës, e dënoi sulmin e djeshëm duke e cilësuar atë si kriminal dhe terrorist mbi Policinë e Kosovës, dhe dha mbështetjen e Gjermanisë ndaj Kosovës”, njofton zyra e Kurtit.
Çfarë ndodhi dje në Kosovë?
Në orët e para të mëngjesit të së dielës, Kosova u trondit nga një sulm në drejtim të punonjësve të policisë, ku u vra polici Afrim Bunjaku, dhe mbetën të lënduar dy kolegë të tij, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Ishte ora 02:34 e mëngjesit, kur një patrullë e policisë së Kosovës, vuri re se në hyrje të fshatit Banjskë, në urë, ishin vendosur si bllokadë dy kamionë pa targa, duke bllokuar në këtë mënyrë qarkullimin e mjeteve. Me mbërritjen në vendngjarje, efektivët e policisë së Kosovës janë përballur me rezistencë, ku nga disa pozicione të ndryshme ndaj tyre është qëlluar me armë dhe me granata dore, e për pasojë humbi jetën Bunjaku, dhe u lënduan dy kolegët e tij.
Pas ngjarjes mobilizimi i punonjësve të policisë ishte i menjëhershëm, ndërkohë që agresorët gjetën strehim brenda në Manastirin e Banjskës, ku u mbajtën të rrethuar nga policia, e 3 prej tyre u ekzekutuan fizikisht, ndërsa 6 të tjerëve iu vunë prangat.Kosova e ka shpallur ditën e sotme një ditë zie kombëtare në nderim të efektivit Bunjaku, i cili ra në krye të detyrës, ndërkohë që situata në veri të paktën mëngjesin e sotëm është paraqitur e qetë, me Manastirin e Banjskës që është nën kontroll nga policia e Kosovës, në të cilin u gjetën sasi të mëdha armësh dhe municioni. Pikëpyetjet mbeten se cili ishte qëllimi i njësisë serbe të armatosur që qëlloi mbi policinë, ndërsa pritet dhe marrja në pyetje e personave të arrestuar brenda në Manastir./Zëri.ai