
TIRANË- Pal Trashaj është viktima e parë e shoqërive të mbledhjes së kredive të këqija në vendin tonë. Është jeta e parë e vetëflijuar pas këtij skandali që janë trajtuar e ndjekur nga ZËRI prej nëntë muajsh, por që deri më tani, askush nuk ka marrë ndonjë zgjidhje konkrete.
63-vjeçari nga Lezha, një historian që ka drejtuar dhe degën e Partisë Demokratike në të njëjtin qytet, u nis nga Pllana ku kishte ndërtuar jetën dhe familjen e tij dhe erdhi në Tiranë, në dyert e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për të zhvilluar një takim me kryeprokurorin Altin Dumani dhe me një hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Trashaj kishte si qëllim parësor që t'u rrëfente hetuesve të gjithë zhvatjen që i ishte bërë nga bankat dhe institucionet, por ishte plani B, më makabri, ai që u realizua. 63-vjeçari kishte marrë dhe një sasi fostoksine me vete, të cilën do ta konsumonte në rast se nuk do të realizonte dot misionin e tij.
Dhe kështu ndodhi!
Dyert e SPAK qëndruan të mbyllura për këtë qytetar dhe ai u vetëhelmua. Më pas, e vetmja gjë që bëri, ishte të telefononte bashkëshorten dhe t’i jepte lajmin e kobshëm për vetëflijimin. Ambulanca e mori me urgjencë Trashajn dhe e dërguan në spital, aty ku dhe mbylli sytë sot, i rraskapitur nga një luftë me një mori institucionesh e një rrjet shoqërish që prej vitesh janë bërë pjesë e këtij mashtrimi dhe kanë zhvatur mijëra qytetarë.
Pas la të birin dhe të shoqen, të dy të mbetur në mes të kryqëzimit, mes dhimbjes për humbjen e madhe dhe faktit që u është sekuestruar çdo e mirë materiale.
Por, si nisi historia e Trashajt? Si përfundoi ai i rrënuar pas një kredie 5 milionë lekëshe që kishte marrë në vitin 2008?
Pal Trashaj u financua me 5 milionë lekë nga një shoqëri me emrin “Oportuny”, që më pas u kthye në NOA. Kjo gjë ndodhi në vitin e fundit që Trashaj kishte për të shlyer detyrimet e tij, por këtu nis i gjithë strumbullari i mashtrimit. Ai e mbylli të gjithë detyrimin, por një ditë e merr një inspektor banke dhe i kërkon takim në zyrat e NOA-s ku Trashaj u paraqit dhe u informua se kishte ende 4 milion e 400 mijë lekë të vjetra për të paguar. Pavarësisht këmbënguljes së qytetarit për të marrë një dokument për detyrimin e mbetur, iu dha vetëm një bilanc-grafik ku i sqarohej se kishte afro 6 këste për të paguar, por që bashkë me interesat, vlera shkonte 4 milion e 400 mijë lekë të vjetra.
Në vitin 2016 dhe në vitin 2017, Trashaj nisi të merrte telefonata të njëpasnjëshme nga studio ligjore të ndryshme. Një prej tyre ishte dhe STAR që ka pasur zyrat qëndrore pranë Ministrisë së Drejtësisë. Personi që e telefononte i thoshte 63-vjeçarit se kredia e tij që ishte paguar një herë, ishte shitur nga NOA dhe ishte blerë më pas prej tyre. Telefonata merrte dhe nga ADCA e MCA. Trashaj shkoi dhe në zyrat e këtyre shoqërive të mbledhjes së kredive të këqija, por nuk zgjidhi dot asgjë. Pas telefonatave, vijuan zarfat që një nga një liheshin poshtë portës së tij, por zyrat në fjalë nuk pranonin asnjë komunikim përballë. I vetmi kontakt me ta, ishte derdhja e parave në llogaritë që ata kërkonin. Edhe shuma që ata kërkonin ishte e luhatshme, herë i kërkonin 4 milionë lekë të vjetra, herë 5, herë 4,5 dhe në rast se debati mes tyre në telefon zhvillohej me tone të larta, kërkonin edhe gjysmën apo çerekun e detyrimit.
Por, Trashaj nuk pagoi asgjë!
“Pika e vlimit” për këtë familje ishte në momentin që të gjithë anëtarëve iu bllokua paga nga Banka Kombëtare Tregtare dhe me urdhër të përmbaruesit Helidon Xhindi, iu bllokuan dhe të gjitha pronat. Tashmë familja Trashaj kishte mbetur dhe pa minimumin jetik. Kjo gjë bëri që 63-vjeçari të dilte publikisht dhe të kërkonte drejtësi. Ai dha intervista të njëpasnjëshme, përmes të cilave denoncoi zhvatjen që i ishte bërë, por drejtësi nuk gjeti dhe kjo gjë e çoi drejt vetëflijimit.
Bankat dhe shoqëritë e përfshira nisën të pozicionoheshin. Në dokumentin e Bankës Kombëtare Tregtare, BKT, kthyer Trashajt dhe në dijeni të Ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja dhe Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, thuhet se BKT ka një rol pasiv sa i përket çështjes që Trashaj ka me përmbaruesit dhe se është e detyruar të zbatojë urdhrat e këtyre të fundit, duke i bllokuar kështu pagën qytetarit.
Përmbaruesi Helidon Xhindi është pjesë e doejs që ka mbërritur në SPAK bashkë me emrat e gjashtë përmbaruesve të tjerë dhe dy kompanive të “Micro Credit Albania” dhe “Final”. ZËRI ka denoncuar dhe grumbulluar dëshmi të qytetarëve që kanë rënë pre e njoftimeve grackë për tu financuar nga zyrat e dhënies dhe mbledhjes së borxheve nga ku nis dhe kalvari i abuzimeve.
Kush i lejoi, për kë punuan këta agjentë të zyrave të dhënies dhe mbledhjes së borxheve dhe ku abuzuan ata, këto janë disa nga pyetjet që shtrohen sot! SPAK duhet t’i japë një përgjigje dhe Banka e Shqipërisë duhet të marrë masa që fatkeqësi si kjo e Trashajt të mos përsëriten!/ZËRI