POGRADEC- Këshilli Bashkiak në Pogradec ka vendosur të rrisë tarifat e parkimit publik. Në një vendim të datës 30 prill, i propozuar nga kryetari i bashkisë Ilir Xhakolli dhe me nismën e shoqërisë “Pogradeci Invest Shpk”, kërkohet miratimi i ndryshimeve në tarifat e parkimeve në qytet. Sipas vendimit, kjo nismë vjen në kuadër të paketës fiskale dhe synon disiplinimin e parkimit në zonat publike të bashkisë, veçanërisht gjatë sezonit veror.
“Por, tani administrata e shoqërisë mendon se ka ardhur koha që për shoqërinë, Pogradeci Invest Shpk, në kuadër të paketës fiskale te vitit 2026, të miratohej një vendim i posaçëm nga Asamblesë së Përgjithshme e Shoqerise dhe Keshillit te Bashkisë Pogradec, duke shfuqizuar pjesërisht dispozitat e vendimit Nr. 113, datë 11.12.2023, të cilat vijnë në kundërshtim me dispozitat e vendimit te ri.
Në kuadër të kompetencave të Këshillit Bashkiak për administrimin e territorit dhe miratimin e taksave dhe tarifave vendore, paraqitet për shqyrtim dhe miratim relacioni dhe projekt vendimi, me qëllim disiplinimin e parkimit në zonat publike të bashkisë.”-thuhet në vendim.
Ndryshimet kryesore të tarifave janë:
Tarifa e parkimit tek ish-Terminali, rritet nga 50 lekë/orë në 100 lekë/orë.
Tarifa e parkimit në parkimet publike përgjatë bulevardeve “Reshit Çollaku” dhe “10 Dëshmorët e Pojskës”, gjatë sezonit turistik (15 qershor-15 shtator) rritet nga 50 lekë/orë në 100 lekë/orë.
Tarifa për parkim të rezervuar për subjektet tregtare pranë biznesit të tyre rritet nga 36 000 lekë/vit në 72 000 lekë/vit.
E njëjta tarifë (nga 36 000 në 72 000 lekë/vit) aplikohet edhe për subjektet me aktivitet hotelerie.
Tarifa të reja të vendosura:
Tarifa për parkim të rezervuar për banorët pranë banesës së tyre: 36 000 lekë në vit (nga 0 lekë që ishte më parë).
Sipas vendimit, të ardhurat e gjeneruara nga këto tarifa do të përdoren për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, si dhe për shërbimet e monitorimit dhe administrimit të parkimeve publike./ZËRI
DOKUMENTI